Trump ua ndalon Biden, Harris dhe Hillary Clinton qasjen në informacionet konfidenciale

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka hequr lejet e sigurisë ish-zëvendëspresidentes Kamala Harris, ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton dhe disa të tjerëve, në lëvizjen e tij të fundit kundër kundërshtarëve demokratë. Presidenti republikan, i cili gjithashtu i hoqi lejen e sigurisë ish-presidentit Joe Biden, e mundi Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe Harris në ato të vitit të kaluar. “Kam përcaktuar se nuk është më në interesin kombëtar që individët e mëposhtëm të kenë qasje në informacionet konfidenciale”, tha Trump në një memorandum të shpallur të premten mbrëma, ku ishte përfshirë edhe ish-sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Memorandumi u publikua disa orë pasi Trump mbërriti në pronën e tij të golfit në Bedminster, New Jersey, për fundjavë. Në listën e presidentit amerikan ishin gjithashtu ish-republikanja Liz Cheney, kritike e ashpër e Trump, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Biden në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, si dhe Fiona Hill, eksperte për Rusinë, e cila ishte pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të tij të parë.