Trumpi thotë se është duke u organizuar një takim i tij me Putinin

53

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është duke u organizuar një takim mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Republikani që do të inaugurohet më 20 janar në Shtëpinë e Bardhë nuk dha ndonjë kohë kur mund të mbahet ky takim, raporton televizioni BBC.

“Ai dëshiron që të takohemi dhe po e organizojmë këtë [takim]” – tha Trumpi në komentet që i bëri në rezidencën e tij në Florida.

Agjencia ruse e lajmeve, “Tass”, e citon zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë kërkuar formalisht një takim mes dy presidentëve.

Trumpi ka premtuar se do ta negociojë fundin e luftës në Ukrainë shpejt pasi të vijë në pushtet dhe ka shprehur skepticizëm për mbështetjen ushtarake dhe financiare amerikane për Kievin.

“Presidenti Putin dëshiron që të takohemi. Ai e ka thënë këtë edhe publikisht dhe ne duhet t’i japim fund asaj lufte. Ajo është një rrëmujë e përgjakshme” – deklaroi presidenti i zgjedhur amerikan.

Ai e ka nominuar ish-këshilltarin për Siguri kombëtare dhe gjeneralin e pensionuar, Keith Kellog, për emisar të posaçëm për Ukrainën dhe Rusinë.

Kellogu ka propozuar që Ukrainës duhet t’i jepen ndihma të reja amerikane, vetëm nëse Kievi pajtohet për të marrë pjesë në bisedime të paqes me Moskën./Nacionale

Comments