“U cenua siguria kombëtare”, LDK reagon për audioincizimin Kusari-Lila- Simiq

166

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas publikimit të përgjimeve ku shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke biseduar me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq. Biseda është rreth agjendës parlamentare.

Por LDK-ja thotë se këto përgjgime tregojnë rënien e maskës të pushtetit populist, siç e quan kjo parti opozitare pushtetin e Kurtit – duke shtuar se është cenuar siguria kombëtare.

Maskat ranë. Me to dhe perdja e populizmit. Përgjimet e publikuara sot në mediet kosovare, shpërfaqin sheshazi hipokrizinë e thellë të pushtetit populist. Kjo hipokrizi, tashmë standard veprues i partisë në pushtet, që në njërën anë kontakton, koordinon e bashkëvepron me njerëz të lidhur me krimin, e në anën tjetër akuzon të tjerët për një gjë të tillë, shpërfaq gjendjen alarmante të politikëbërjes në vend”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Më tutje, LDK-ja vazhdon duke shprehur shqetësim për politikëbërjen në Kosovë.

Për të vërteten dhe faktimin e saj, ne shprehim mirënjohjen. Për gjendjen e rëndë të politikëbërjes në Kosovë, LDK -ja shpreh shqetësimim më të thellë. Sepse, koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhërarrest e në listë të zezë të SHBA-ve, cënon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës. LDK-ja do të përcjellë në vijim zhvillimet mbi këtë temë”, thuhet në komunikatë.

Nacionale ka publikuar të hënën përgjimet e Kusari-Lilës me Simiqin. Pas kësaj, opozita thotë se ka koordinim mes Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe. /Gazeta Express

Comments