Ullishtat që para gjysmëshekulli i mori ushtria në Ulqin u kthehen pronarëve
Në Kuvendin e Malit të Zi të premten është votuar Ligji mbi kthimin e pronës së Gjirit të Valdanosit në Ulqin te pronarët e ullishtave, shumica shqiptarë.
Ligji mori përkrahjen e 49 deputetëve, aq sa morën pjesë në seancën e sotme.
Pa ullinj dhe prona në Valdanos, pronarët e pronave kanë mbetur që nga viti 1978. Atëbotë bëhej fjalë për 204 familje, kurse sot mendohet të jenë rreth 600.
Prona ishte marrë për ndërtimin e një baze ushtarake, por ka kohë që nuk është shfrytëzuar fare.
Një metër katror u ishte paguar pronarëve si kompensim 1.07 dollarë, kurse një rrënjë ulli 59.7 dollarë. Sipas ekspertëve, vlera e sotshme është: 44 euro një metër katror, kurse 417.5 euro një rrënjë ulli.
Komisioni komunal dhe ai regjional më herët kishin refuzuar kthimin e pronave tek ata qytetarë që kishin pranuar kompensimin më 1978. Këtë e kishte vërtetuar edhe Gjykata Supreme e Malit të Zi.