Unitedi merr një pikë të madhe në “Anfield”
Ndeshje të zjarrtë kanë zhvilluar të dielën në “Anfield”, Liverpooli e Manchester Unitedi. Dhe derbi më i madh anglez nuk ka dhënë fitues.
Ndeshja e xhiros së 20-të të Premier Leagues ka përfunduar 2:2.
Sidomos pjesa e dytë ishte e jashtëzakonshme. Ritmi ishte shumë i lartë, rastet të shumta, ndërsa u shënuan katër gola.
Lisandro Martinez kaloi në epërsi 1:0 Manchester Unitedin në minutën e 52-të. Ai realizoi me asistim të Bruno Fernandesit.
Menjëherë në minutën e 59-të shifrat u barazuan në 1:1. Cody Gakpo shënoi me asistim të Alexis Mac Allister.
Lideri i Premier Leagues, Liverpooli, më pas kaloi në epërsi 2:1. Mohamed Salah ishte i saktë nga penalltia në minutën e 70-të. Salah tani i ka 175 gola në Premier League, sa edhe ikona e Arsenalit, Thierry Henry.
Drama nuk përfundoi me golin e Salahut.
Për 2:2 shënoi Amad Diallo në minutën e 80-të.
Loja dramatike vazhdoi. Raste kishin të dy skuadrat, por pa shënuar më. Në minutën e shtatë shtesë rast të artë lëshoi mbrojtësi i Unitedit, Harry Maguire.
Liverpooli mbetet lider, tani me 46 pikë nga 19 ndeshje. Arsenali është i dyti me 40 pikë nga 20 ndeshje. Manchester Unitedi është vetëm i 13-ti me 23 pikë. Por të dielën në “Anfield” dha shfaqje që kthyen në kujtesë përballjet e mahnitshme mes dy skuadrave.