Varianti Delta i Covid-19, më i përhapur në botë
Varianti Delta i koronavirusit është bërë mutacioni më i përhapur në botë. Liderë botërorë kanë kërkuar vigjilencë të shtuar ndaj këtij lloji që njihet si variant më i transmetueshëm se të tjerët. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u ka bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, teksa i është bashkëngjitur thirrjeve të liderëve të tjerë për kujdes, pasi varianti Delta është përhapur në gjithë botën. Varianti Delta, që fillimisht është detektuar në Indi, është bërë varianti dominues në botë i koronavirusit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë. Po ashtu, ky variant, që është më i transmetueshëm, pritet të bëhet dominant edhe në SHBA, tha drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky. Walensky tha se amerikanët që vaksinohen “do të jenë të mbrojtur nga varianti Delta”. Biden u bëri thirrje amerikanëve të vaksinohen, teksa njoftoi se 300 milionë doza kundër COVID-19 tashmë janë administruar gjatë 150 ditëve, që prej se ai mori detyrën e presidentit. Rreth 172.4 milionë persona apo 51.9 për qind e popullsisë së SHBA-së, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Rreth 141.6 milionë persona apo 42.6 për qind e popullsisë, tashmë janë të vaksinuar plotësisht. Por, ritmi i vaksinimit në SHBA ka rënë ditëve të fundit, duke kërcënuar përparimin e arritur në vaksinim. Ndërkaq, Britania ka raportuar për rritje të infektimeve për shkak të variantit Delta, duke detyruar qeverinë që të shtyjë vendimin për relaksimin e masave kundër koronavirusit, pavarësisht se në këtë vend janë vaksinuar një numër i madh i qytetarëve. Britania po ashtu ka kufizime për udhëtimet nga Portugalia për shkak të rritjes së rasteve me variantin Delta. Në Bashkimin Evropian, shtetet kanë administruar të paktën një dozë të vaksinës për pothuajse gjysmën e popullsisë së bllokut. Liderët e Gjermanisë dhe Francës u bën thirrje shteteve të BE-së që të jenë më viligjente ndaj variantit Delta, që kërcënon përparimin që këto shtete kanë shënuar ndaj pandemisë, që u ka lejuar atyre që të heqin gradualisht kufizimet. Mbi 2.54 miliardë doza të vaksinave kundër COVID-19 janë administruar deri tani në të gjithë botën, sipas shifrave të përpiluara nga “Our World in Data”. Kina kryeson numrin global me mbi 966.65 milionë vaksina e ndjekur nga SHBA-ja me 314.97 milionë. Vendi me më shumë doza të administruara për nga numri i popullsisë janë Emiratet e Bashkuara Arabe, me 143.39 doza për 100 persona. Shumica e vaksinave kundër COVID-19 administrohen në dy doza, kështu që numri i vaksinave të dhëna nuk është i njëjtë me numrin e personave të vaksinuar plotësisht. Që nga dhjetori 2019, pandemia ka marrë mbi 3.84 milionë jetë në pothuajse të gjithë botën, me më shumë se 177.5 milionë raste të raportuara, sipas Universitetit “Johns Hopkins” me bazë në SHBA. SHBA-ja, India dhe Brazili mbeten vendet më të goditura nga pandemia e Covid-19 me numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve./21Media