Vdiq në Gjinekologjinë e Tivarit, i gjithë Ulqini çohet në këmbë për 36-vjeçaren Drita Tafa
Drita Tafa, një grua 36-vjeçare nga Ulqini i Malit të Zi, humbi jetën pas lindjes së fëmijës në spitalin e qytetit të Barit.
Familjarët e saj pohojnë se shkaku i vdekjes ishte një mjekim i gabuar. Prej disa ditësh, familjarët dhe opinioni publik kërkojnë drejtësi dhe hetime për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.
Çështja është ngritur edhe në parlamentin malazez dhe nga ish-kryeministri Dritan Abazoviq.
Familjarët e të ndjerës, e cila ka lënë pas tre fëmijë jetimë, thonë se Drita Tafa nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë.
Pas presionit nga opinioni publik, një gjykatë malazeze ka urdhëruar zhvarrimin e trupit të saj për kryerjen e autopsisë.
Ndërkohë, mediat e huaja raportojnë se ministri malazez i Shëndetësisë, Vojislav Simun ka iniciuar formimin e një komisioni të jashtëm të përbërë nga ekspertë nga rajoni dhe BE-ja, i cili do të merret me rastin e vdekjes së gruas.
Ai ka deklaruar se hetimet kanë nisur, një autopsi është kryer dhe janë në pritje të raportit.
Megjithatë ende nuk është publikuar një version zyrtar mbi shkaqet e vdekjes të gruas.
Të enjten, 7 nëntor, qindra qytetarë në Ulqin dolën në një marshim proteste, duke kërkuar drejtësi për Drita Tafën.