Vritet nga Izraeli shkrimtarja dhe fotoreporterja e njohur e Gazës, Fatema Hassouna

Gaza është bërë një “varr masiv” për palestinezët dhe për ata që po mundohen të ofrojnë ndihmë, tha të mërkurën organizata bamirëse mjekësore, “Mjekët pa Kufij” (MSF), derisa mjekët thanë se ushtria izraelite vrau të paktën 13 njerëz në pjesën veriore të enklavës dhe vazhdoi që të shkatërronte shtëpi në Rafah, në jug.
Mjekët palestinezë thanë se një sulm ajror la të vrarë dhjetë njerëz, përfshirë shkrimtaren dhe fotoreporten e njohur, Fatema Hassouna, puna e së cilës i ka paraqitur vështirësitë me të cilat ballafaqohet komuniteti i saj në Qytetin Gaza gjatë luftës. Sipas mjekëve, nga një sulm tjetër më në veri u vranë tre njerëz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”
Nuk pati koment nga ushtria izraelite.

Në Rafah, qytet në jug të Rripit të Gazës, banorët thanë se ushtria izraelite shkatërroi më shumë shtëpi në vendbanimin që është vënë i tëri nën kontrollin izraelit ditëve të fundit në atë që udhëheqësit izraelitë thanë se është zgjerim i zonave të sigurisë në Gaza për t’i bërë më shumë presion Hamasit për t’i liruar pengjet e mbetura.
“Gaza është shndërruar në një varr masiv të palestinezëve dhe të atyre që po u dalin në ndihmë. Ne po jemi dëshmitarë në kohë reale të shkatërrimit dhe të zhvendosjes së detyrueshme të tërë popullsisë në Gaza” – tha në një deklaratë Amande Bazerolle, bashkërenduese e emergjencave në organizatën “Mjekët pa Kufij”.
“Pasi asnjë vend nuk është i sigurt për palestinezët ose për ata që po mundohen t’i ndihmojnë, reagimet humanitare po hasin në vështirësi të ashpra nën peshën e pasigurisë dhe mungesave kritike të furnizimeve, duke i lënë njerëzit me pak opsione për qasje në kujdes” – shtoi ajo.
Përpjekjet e ndërmjetësve – Egjiptit, Katarit dhe Shteteve të Bashkuara – për ta rikthyer në fuqi armëpushimin në Gaza dhe për ta siguruar lirimin e pengjeve izraelite janë dobësuar, pasi Izraeli dhe Hamasi nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre.