Vuçiqi thërret Kurtin të mos niset në Bruksel nëse mendon të flasë për njohje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendin e tij e pret dialog i vështirë me Kosovën.
Ai në hapje të një fabrike gjermane në Serbi, të enjten, ka folur edhe për dialogun që do të rinisë më 15 qershor në Bruksel, mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiq ka “porositur” palën kosovare që mos t’ia mësyjë Brukselit nëse mendon të imponojë temat për të cilat flet, duke iu referuar kështu njohjes reciproke mes dy vendeve, njofton agjencia Tanjug.
Krerë të institucioneve kosovare, por edhe shumicës së atyre ndërkombëtare, thonë se finalja e gjithë procesit të dialogut duhet të jetë njohja mes dy vendeve, gjë që Vuçiqi në vazhdimësi ka thënë se nuk do ta bëjë derisa të mbajë postin që ka.