VV organizon procesin e votimit në kafeteri të Gjenevës: A po cenohet fshehtësia e votës së diasporës?
Një ditë pasi ka filluar procesi i votimit për votuesit e regjistruar me postë, partia në pushtet ka filluar përpjekjet për të ndikuar kundërligjshëm në këtë proces.
Përkrahësit e VV-së në Zvicër kanë publikuar një video, përmes së cilës u bëhet thirrje votuesve të regjistruar që të dielën me 12 janar, nga ora 10:00 deri në orën 18:00 të shkojnë në adresën “Chemin du Champ-des-Filles 19, 1228 Plan-les-Ouates”.
Në këtë video, votuesve iu tregohet se çka duhet të kenë me vete.
“Merre dëftesën e regjistrimit dhe eja voto. Ne jemi këtu për t’iu ndihmuar rreth procesit dhe ju furnizojmë me materialin e duhur për të votu”, thuhet në këtë video.
Kjo video përfundon me mesazhin e njohur të Vetëvendosjes: “Nga çdo cep i botës ku je, hidhe votën për atdhe”.
Kjo video është shpërndarë edhe nga Yllka Kurteshi, e cila duket se është e afërt anëtarin të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, dhe ish-deputetit të VV-së Ismajl Kurteshi, raporton Nacionale.
Këtij të fundit, në postim në profilin e saj në “Facebook”, Yllka Kurteshi i drejtohet me “Baci Ismajl Kurteshi”.
Kjo praktikë është në kundërshtim me rregullat ligjore në fuqi.
Një veprim i tillë mund të cenojë rënë fshehtësinë e votës.
Kjo për faktin se për t’u organizuar votimi në një vendvotim në Republikën e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i marrë parasysh dhjetëra kërkesa ligjore.
Në mesin e tyre është edhe ruajtja e fshehtësisë së votës.
Për këtë arsye, në çdo vendvotim, KQZ-ja vendos kabina të votimit, ku qytetarët mund të votojnë duke ruajtur fshehtësinë e votës.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënime të ashpra për ata që cenojnë fshehtësinë e votës.
Udhëzuesi i KQZ-së nuk parasheh që partitë të ndihmojnë në proces
KQZ ka publikuar edhe një udhëzues për votim, i cili ka për qëllim t`i ndihmojë qytetarët në procesin e votimit.