Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas paraqitjes së mbrëmshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në media, duke e akuzuar atë për shtrembërim të deklaratave të saj.
Ymeri ka thënë se në videot propagandistike të Lëvizjes Vetëvendosje pritet që tash e tutje të shfaqen edhe deklarata të Abdixhikut, të cilat, sipas saj, kanë për qëllim sulmin ndaj deputetëve të LDK-së.
Ajo ka mohuar se ka deklaruar se nuk respekton Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë apo Kuvendin e partisë, duke theksuar se vetë është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm.
“E para, ferizajasit nuk flasin me ‘s’nDi’… kush më njeh e di se si flas”, ka shkruar Ymeri, duke iu referuar mënyrës se si, sipas saj, janë paraqitur deklaratat e saj.
Ymeri ka sqaruar se kundërshtimi i saj ka qenë ndaj kandidaturës presidenciale, pasi, siç ka thënë, ajo ishte deklaruar edhe para zgjedhjeve kundër votës për Vetëvendosjen, por edhe për shkak të profilit të kandidatit.
Ajo ka thënë se në fund të deklarimit të saj kishte bërë të qartë se i kishte parasysh pasojat që mund të vinin nga organet e partisë dhe se i respektonte vendimet e tyre, por se qëndrimi i saj personal mbetej i njëjtë.
“Nuk e di pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena”, ka shkruar Ymeri, duke pretenduar se për deklarimin e saj kanë qenë dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, një anëtar i Kryesisë dhe dy persona nga stafi i selisë së LDK-së.
Në reagimin e saj, Ymeri ka thënë se nuk e ka bërë postimin për t’u arsyetuar, por për të treguar, sipas saj, “se çfarë ndodh dhe si ndryshojnë njerëzit në luftën pro dhe kundër mafisë e së keqes”.
Në fund, deputetja e zgjedhur e LDK-së ka hedhur dyshime edhe për atë që mund të fshihet pas negociatave politike, duke e lidhur situatën me sektorin energjetik.
“Jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka shkruar Ymeri.



