Zaev në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s: Japim kontributin tonë për vendimet strategjike dhe për ardhmërinë e Aleancës
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, udhëheq delegacionin qeveritar të Samitit të NATO-s 2021 të krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel.
Kryeministri Zaev do të merr pjesë në punën e Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s, në të cilin liderët e vendeve anëtare do të bisedojnë për çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës.
Në vazhdim të kësaj kumtese, ua përcjellim në tërësi deklaratën e Kryeministrit Zaev para fillimit të seancës plenare të Këshillit Veri-Atlantik:
“Realisht është shumë mirë të jesh këtu, jam shumë i nderuar.
Ky është moment historik për vendin tim. Ky është Samiti i parë i NATO-s për Maqedoninë e Veriut si anëtare e plotfuqishme. Ky është gjithashtu Samiti i parë për NATO-n me 30 anëtarë. Ky është sukses i madh edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për NATO-n.
Anëtarësimi në NATO ishte realizim i qëllimit tonë strategjik, por në mënyrë plotësuese me anëtarësimin tonë, Aleanca e përmirësoi sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ne jemi të përkushtuar në vizionin për Ballkanin në shekullin 21, si rajon i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit të rritur rajonal për përfitime ekonomike dhe prosperitet të të gjithë qytetarëve.
Fuqishëm besojmë se nevojitet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë perspektivë të qartë euro-atlantike dhe evropiane. Lënia e një vakumi në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion. Ne kemi nevojë për procese të parashikueshme, të besueshme dhe të intensifikuara të integrimit në BE dhe NATO.
Sot jemi këtu për të konfirmuar unitetin, kohezionin dhe solidaritetin tanë. Ne gjithashtu do të fokusohemi në sfidat e ardhshme dhe bashkërisht do të sjellim vendime në nivel strategjik për përshtatje të mëtejshme të NATO-s.
Ne ndajmë të njëjtat vlera, qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë dhe jemi plotësisht të përkushtuar në sigurinë tonë kolektive: Sepse ne jemi NATO. Së bashku jemi më të fortë! ”