Zaev nuk shpreson në marrëveshje me Bullgarinë në qershor
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nuk është optimist për një zgjidhje të mundshme të kontestit me Bullgarinë deri më 22 qershor, kur është paraparë mbajtja e samitit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Zgjidhja eventuale e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes nënkupton edhe zhbllokimin e procesit integrues apo nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
“Kam ndjenjën se dallimet nuk do të zgjidhen më 22 qershor, sepse Bullgaria ka një Qeveri teknike dhe nuk ka Parlament. Por, nuk është e pamundur të zgjidhen. Pse po e them këtë? Realiteti është se në Bullgari ka zgjedhje më 11 korrik. Por, në të njëjtën kohë, unë kam një ndjenjë përgjegjësie përpara njerëzve tanë të them se është detyra jonë të bëjmë gjithçka. Nuk do të kishte asgjë të dëmshme nëse ne arrijmë të përfundojmë një marrëveshje që do të verifikohej nga Qeveria e ardhshme politike dhe Parlamenti bullgar”, ka deklaruar Zaev.
Kryeministri maqedonas, disa herë më parë, ka thënë se pret gjëra pozitive gjatë muajit qershor, duke shpresuar në kapërcimin e dallimeve me Bullgarinë.
Këto dallime kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike.
Bullgaria ka thënë se nuk e konteston identitetin maqedonas, por kërkon që Shkupi të pranojë se para periudhës së Luftës së Dytë Botërore, maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë pasur “rrënjë bullgare”.
Portugalia, si shtet që kryeson aktualisht me BE-në, u ka dorëzuar dy vendeve një platformë për zgjidhjen e dallimeve, por nuk janë dhënë detaje.
Mediat bullgare kanë raportuar se dokumenti parasheh që Shkupi të pranojë modifikimin e identitetit dhe të gjuhës pas vitit 1945, ndërsa nga Sofja është kërkuar që të mos insistojë në prejardhjen bullgare të gjuhës dhe identitetit maqedonas.
Ndërkohë, opozita maqedonase ka protestuar në Shkup dhe në dhjetë qytete të tjera kundër bisedimeve me Bullgarinë, përkatësisht kundër, siç ka thënë, “tradhtisë së radhës të kryeministrit Zoran Zaev”.
Zaev ka thënë më parë se Qeveria e tij, as nuk ka negociuar, e as nuk do të negociojë çështje që kanë të bëjnë me identitetin.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në gusht të vitit 2017, kanë nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por ajo jo vetëm që nuk është zbatuar, por ka thelluar edhe më shumë dallimet mes dy vendeve.