Zgjedhjet rajonale në Francë: Konservatorët forca kryesore, “zhgënjen” Macron
Pothuajse 46 milionë njerëz kishin të drejtën të votojnë në zgjedhjet lokale për pushtetin në rajone. Zgjedhjet u mbajtën njëkohësisht për pushtetet rajonale dhe për parlamentet vendore, që është testi i fundit në mbarë vendin para zgjedhjeve presidenciale që mbahen në pranverën e ardhshme. Ndaj rezultati i votimit shikohet me shumë vëmendje në Paris – dhe jo vetëm atje.Raundi i parë i votimit
Posaçërisht me vëmendje u panë rezultatet e të djathtës ekstreme në këto zgjedhje. Por partia e Marine Le Pen ka mbetur shumë pas pritshmërive të saj. Partia Rassemblement National e Marine Le Pen (më parë: Front National) arriti të marrë vetëm 19% të votave, duke u renditur e dyta. Populistët kishin shpresa të fitonin në 13 rajone, sepse sipas sondazheve, partia Rassemblement National pritej të bashkonte rreth vetes një të katërtën e elektoratit. Në zgjedhjet e fundit në dhjetor 2015, e djathta ekstreme doli mirë, pas raundit të parë të votimit ishte madje forca e parë politike, por nuk arriti të fitojë në asnjë prej rajoneve në këto zgjedhje.
Vëzhguesit i shohin këto zgjedhje si një lloj dueli mes Le Penit dhe presidentit aktual Emmanuel Macron.
Partia e krijuar së fundi e Macronit LREM arriti një rezultat vetëm me 11% duke u renditur e pesta, sipas TV France 2. Por rezultatet e dobëta të kësaj partie në zgjedhjet rajonale nuk janë domosdoshmërisht sinjal se Macroni mund të humbë pushtetin edhe në nivelin qendror, sipas ekspertëve.