10 ditë deri në zgjedhje: Sot partitë hapin fushatën zgjedhore, kush për çka po kërkon votë?

Për herë të parë në historinë e vet, vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas moszgjedhjes së Presidentit.

Zyrtarisht sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat mbahen pas 10 dite më 7 qershor.

Reklame

Partitë politike ndonëse fushatën faktike s’e kanë ndalur asnjëherë sot e nisin atë zyrtarisht për të kërkuar votën qytetare.

Partia më e madhe në vend, Vetëvendosja, e hap fushatën në Ferizaj në mbrëmje, ndërsa tubimin hapës e ka bërë ditë më parë me shpalosjen e zotimeve.

Për orë të tëra Albin Kurti paraqiti atë që, sipas tij, ai do ta kryejë në mandatin katër vjeçar të ardhshëm.

Sllogani i kësaj partie ngërthen dyanësi si “shtet për krejt, krejt për shtet.”

Partia Demokratike e Kosovës, me të nominuarin e tyre për kryeministër, Bedri Hamzën, po ashtu e hap fushatën në Ferizaj, dy orë më vonë se Vetëvendosja.

Kjo parti ka nxjerrë slloganin “Stop Krizës,” në atë që thonë se Vetëvendosja po e (mirë)mban si pjesë të karakterit të saj politik dhe qeverisës.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e kryesuar nga Vjosa Osmani si bartëse e liste dhe “kandidate për presidente,” tubimin e hap në Prishtinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tash e drejtuar dhe kryesuar në listë nga Ardian Gjini, fushatën e hap në Gjakovë.

Edhe pas këtyre zgjedhjeve, moszgjedhja e presidentit si gjë e parë, mund ta dërgojë vendin automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

By admin7