Në shkollën ku mësojnë rreth 1.500 nxënës shqiptarë, në një manifestim kushtuar Ditës së Alfabetit Shqip, mungoi pikërisht simboli kombëtar shqiptar. Prindërit të revoltuar kërkojnë përgjegjësi dhe sqarime nga drejtoresha Suzana Jakupi Kurbardoviq.

Një manifestim që duhej të ishte festë e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar, në Shkollën Fillore „22 Nëntori” në Hasanbeg të Shkupit, është shndërruar në temë pakënaqësie dhe zhgënjimi për një pjesë të prindërve.
Shkolla, e cila ka rreth 1.500 nxënës, të gjithë shqiptarë, sot organizoi manifestimin me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip dhe patronatit të saj. Në aktivitet morën pjesë prindër, mysafirë dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili vjen pikërisht nga Hasanbegu.
Programi përfshinte recitime, këngë dhe paraqitje të përgatitura nga nxënësit dhe mësimdhënësit. Por, përtej programit artistik, një detaj nuk kaloi pa u vënë re nga prindërit: flamuri shqiptar mungonte!
Në një manifestim kushtuar Kongresit të Manastirit dhe historisë së alfabetit shqip, në sallë ishin vendosur flamuri shtetëror, flamuri i komunës dhe flamuri evropian, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar nuk ishte askund.
Dhe këtu lind pyetja: Si mund të organizohet një festë e tillë, në një shkollë me rreth 1.500 nxënës shqiptarë, pa simbolin kombëtar të popullit të cilit i kushtohet kjo ditë?
A ishte harresë, vendim i qëllimshëm apo dikush ka konsideruar se flamuri shqiptar nuk duhet të jetë pjesë e këtij manifestimi? Nëse ka një arsye, udhëheqësia e shkollës duhet ta bëjë publike.
Edhe më shumë pikëpyetje ngre fakti se njëri nga nxënësit prezantues përkthente programin edhe në gjuhën maqedonase. Përkthimi dhe respektimi i gjuhëve të tjera nuk janë problem në vetvete. Por, kur në një festë kushtuar identitetit shqiptar mungon flamuri shqiptar, është e kuptueshme pse prindërit shtrojnë pyetje për mesazhin që përcolli ky organizim.
Po kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si u ndje në një festë të tillë në vendlindjen e tij, Hasanbeg, ku festohej Alfabeti Shqip, por mungonte flamuri shqiptar? A e vërejti këtë detaj? A kërkoi ndonjë sqarim?
Një tjetër çështje që kërkon përgjigje është edhe formulimi në materialin e përdorur ne faqen e shkolles, ku shkruhej: „Kongresi u mbajt në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut)”.

A nuk e dinë organizatorët se qyteti ku u mbajt Kongresi i Alfabetit njihet në shqip si Manastir? Pse duhet që në një manifestim të tillë të vihet në pikëpyetje një emërtim historik dhe i njohur në gjuhën shqipe?
Redaksia e Fakti Ditor kërkon përgjigje publike nga drejtoresha e shkollës, Suzana Jakupi Kurbardoviq:
Kush vendosi që flamuri shqiptar të mos jetë pjesë e manifestimit?
Pse në një festë kombëtare shqiptare u vendosën flamujt e tjerë, por jo edhe flamuri shqiptar?
A ishte ky një vendim i udhëheqësisë së shkollës apo një kërkesë nga ndonjë institucion tjetër?
Prindërit kanë të drejtë të kërkojnë sqarime. Ata nuk dërgojnë fëmijët në shkollë vetëm për të mësuar matematikë, gjuhë dhe shkenca, por edhe për të mësuar historinë, kulturën dhe për të ruajtur identitetin e tyre.
Drejtoreshë, 22 Nëntori nuk është vetëm emër i shkollës. Është histori, është gjuhë dhe është identitet. Nëse festohet Alfabeti Shqip, pse mungon flamuri shqiptar?
Fakti Ditor pret përgjigje nga udhëheqësia e shkollës dhe është i gatshëm ta publikojë edhe qëndrimin e saj.


