Izraeli goditi objektet shëndetësore të lidhura me Hezbollahun në Liban gjatë natës, duke vrarë të paktën 10 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, ndërsa sulmet e ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë pavarësisht një armëpushimi.
Autoritetet thanë se midis të vrarëve ishin gjashtë ndihmës mjekësorë dhe një fëmijë. Shumë të tjerë u plagosën në sulm. Ushtria izraelite fillimisht nuk bëri asnjë koment mbi sulmin.
Izraeli ka synuar vazhdimisht objektet shëndetësore dhe ekipet mjekësore në Liban, duke akuzuar grupin e mbështetur nga Irani se i përdor ato si mbulesë për të fshehur armët dhe luftëtarët.
Qeveria libaneze, e cila nuk është palë në konfliktin aktual, e hedh poshtë këtë pretendim.
Ministri i Shëndetësisë Rakan Nassereddine i dënoi së fundmi sulmet si “shkatërrim sistematik dhe të synuar ndaj sektorit të shëndetësisë”.
Që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut në fillim të marsit, 116 punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë, sipas shifrave zyrtare. Gjashtëmbëdhjetë spitale janë dëmtuar dhe 147 ambulanca janë sulmuar, tregojnë shifrat.
Ushtria izraelite tha veçmas se kishte vrarë dy individë të armatosur pranë kufirit izraelit në Libanin jugor.
Përshkallëzimi i ri i tensioneve midis Izraelit dhe Hezbollahut, vjen pasi Hezbollahu sulmoi Izraelin pas fillimit të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.
Qeveria libaneze dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim në mesin e prillit, por Hezbollahu nuk ishte palë në atë marrëveshje dhe sulmet e ndërsjella nuk kanë ndaluar. Izraeli gjithashtu vazhdon të mbajë trupa në Libanin jugor. Hezbollahu ka refuzuar të negociojë me Izraelin./ DPA News.


