Shkup – Sot shënohen 10 vjet nga një prej fatkeqësive më të rënda natyrore në historinë e Maqedonisë së Veriut. Më 6 gusht 2016, reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan vërshime katastrofike që goditën veçanërisht lagjet Hasanbeg dhe Stajkovc në Shkup, duke lënë pas një bilanc tragjik prej 23 viktimash dhe dëme të mëdha materiale.


Brenda vetëm 24 orëve, në Shkup ranë 92.9 litra shi për metër katror, ndërsa në dy orët e para të stuhisë u regjistruan mbi 800 vetëtima. Intensiteti i reshjeve dhe rrjedha e furishme e ujit përmbytën shtëpi, rrugë dhe automjete, duke zënë në befasi qindra familje.


Gjatë natës dramatike të 6 gushtit, rreth një mijë qytetarë u evakuuan nga ekipet e shpëtimit, ndërsa shumë familje humbën gjithçka që kishin ndërtuar ndër vite.
Pas katastrofës, banorëve të Hasanbegut dhe Stajkovcit iu deshën muaj të tërë për t’u rikthyer në një jetë normale. Për shumë prej tyre, pasojat psikologjike dhe ekonomike vazhdojnë të ndihen edhe një dekadë më vonë.



Dhjetë vjet pas kësaj tragjedie, kujtimi për 23 viktimat mbetet i gjallë, ndërsa 6 gushti vazhdon të kujtojë nevojën për investime më të mëdha në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, infrastrukturën e kanalizimeve dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm.
FaktiDitor.info përkujton me respekt viktimat e kësaj tragjedie dhe shpreh solidaritet me familjet që humbën më të dashurit e tyre.



