350 mijë euro të fshehura në mur, Gjykata e pranoi akuzën kundër ish gjyqtarit Gjoko Ristov

Gjykata Penale e Shkupit e ka vlerësuar pozitivisht aktakuzën kundër ish gjyqtarit të Apelit Gjoko Ristov i cili akuzohet për veprat penale fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, pasi në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën 350 mijë euro të fshehura në një bunker special në mur. Lënda i është caktuar gjyqtares Biljana Kocevska, e cila gjithashtu është gjyqtare në lëndën “Softuerët” kundër ish sekretarit të Qeverisë Dragi Rashkovski. Nga Gjykata njoftojnë se në periudhën në vazhdim do të caktohen edhe terminët e gjykimit.

Ish gjyqtari Ristov ka mohuar akuzën, duke theksuar se 350 mijë eurot e fshehura nuk ishin të tij, por të prindërve që i kishin fituar nga shitja e rrushit dhe pronave, megjithatë Prokuroria javë më parë demantoi këto pretendime. Prokurorja e çështjes, Iskra Haxhivasilevska në një takim me gazetarët konfirmoi që nëpërmjet ekspertizës janë gjetur gjurmët biologjike të gjyqtarit Ristov në fletët e aluminit me të cilat janë mbështjellë 350 mijë eurot.

Reklame

Plotësisht, në vendin ku janë fshehur paratë, janë gjetur edhe disa letra në të cilat ka pasur të shkruara numra evidentues të lëndëve gjyqësore, e të cilat sipas Prokurorisë, asociojnë me detyrën që ka ushtruar Ristovi.

Ristov ra në rrjetën e Prokurorisë pasi i arratisuri nga drejtësia për rastin “Zinxhir” – Lupço Pecov apo i njohur me nofkën “Djalli” ka lajmëruar në Prokurori se po i kërkojnë 100 mijë euro për t’ia hequr paraburgimin. Ndërmjetësues i “Djallit”, do të ishte përfaqësuesi i tij ligjor, ish Avokati i Shtetit Fehmi Stafa, i cili paratë i kishte kërkuar me pretendimin për ta korruptuar gjyqtarin Ristov.

Megjithatë Stafa nuk kishte arritur t’i marrë të gjitha paratë. Si për fillim Stafa kishte marrë 30 mijë euro, por më pas autoritetet e kapën në flagrancë duke e marrë pjesën e dytë prej 20 mijë eurosh.

Pas katër muajve në paraburgim, në marrëveshje me Prokurorinë Stafa e pranoi fajësinë, ndërsa Gjykata e dënoi me 15 muaj burg.

Ndërkohë Pecov apo “Djalli” vazhdon të jetë i akuzuar në rastin “Zinxhir”, megjithatë pasi e ka paguar dëmin, Gjykata ia ka shfuqizuar arrestin shtëpiak, ndërsa aktualisht është nën masa më të lehta kujdesi. /Alsat.mk

By admin7