Autopsia e vajzës 3-vjeçare Bella, e cila u gjet e pajetë në një pishinë në oborrin e shtëpisë së familjes së saj në Preetz, në landin gjerman Schleswig-Holstein, ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte mbytja.

Kryeprokurori Michael Bimler bëri të ditur se ekzaminimi mjeko-ligjor nuk zbuloi asnjë shenjë dhune apo përfshirje të një personi të tretë, duke përforcuar dyshimet fillestare të hetuesve se bëhet fjalë për një ngjarje tragjike dhe jo për një krim.

Bella ishte raportuar e zhdukur që nga mesdita e së mërkurës. Vajza, e cila ishte autiste dhe kishte dëmtime në shikim dhe dëgjim, u kërkua për orë të tëra nga policia, zjarrfikësit dhe dhjetëra banorë të zonës. Trupi i saj u gjet të enjten rreth orës 09:30 në një pishinë me diametër rreth katër metra, e vendosur në oborrin e shtëpisë së prindërve.
Një nga elementët më misteriozë të rastit është fakti se pishina ishte kontrolluar disa herë gjatë operacionit të kërkimit, si nga policia ashtu edhe nga zjarrfikësit. Autoritetet konfirmojnë se zona përreth shtëpisë dhe vetë pishina ishin inspektuar vazhdimisht që nga momenti kur Bella u raportua e zhdukur.
Për këtë arsye, hetimet tani janë përqendruar në rrethanat se si dhe kur Bella përfundoi në ujë. Edhe pse shkaku i vdekjes tashmë është i qartë, koha e saktë e mbytjes mbetet ende e panjohur.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet vazhdojnë dhe se, për momentin, nuk do të publikohen detaje të tjera lidhur me kohën e vdekjes apo mënyrën se si u zhvilluan kontrollet në pishinë. Rasti vazhdon të ngrejë pikëpyetje të shumta, pavarësisht se pista kriminale është përjashtuar deri tani.



