Organizata “Liria ka emër” e konsideron tërësisht të papranueshme shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Sipas tyre, kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm.
“Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në një mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme.
Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vite në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut” thuhet në reagim.
“Liria ka emër” vlerëson se këto zhvillime po e dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.
“Liria ka emër” paralajmëron se çdo shtyrje e mëtejshme në këtë proces gjyqësor në Gjykatën Speciale, këtë institucion vetëm sa e largojnë edhe më shumë nga standardet e drejtësisë, duke e shndërruar në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare.

