Ngarkimi i fotografive në platformën cloud të Amazon erdhi në një kohë kur ushtria izraelite po shtonte varësinë nga shërbimet cloud të kompanisë amerikane, për të përmbushur nevojat teknologjike të bombardimeve në Gaza.
Ushtria izraelite ngarkoi 3.5 milionë fotografi në platformën cloud të Amazon, me qëllim përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës të kompanisë amerikane për të analizuar imazhet e palestinezëve. Këtë zbulim e ka bërë media britanike “The Guardian”.
Dokumentet e rrjedhura zbulojnë se kjo arkivë e gjerë fotografish u transferua në platformën cloud të Amazon në muajt e parë të bombardimeve ajrore shkatërruese dhe ofensivës tokësore të Izraelit në Gaza.
Fotografitë u ngarkuan nga një departament i ushtrisë izraelite, i cili zotëron një koleksion të jashtëzakonshëm imazhesh që dokumentojnë popullsinë palestineze në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Departamenti e njoftoi Amazon për vendimin e ngarkimit të fotografive në fillim të vitit 2024, me qëllim përdorimin e Rekognition, platformës së kompanisë për analizimin e imazheve përmes inteligjencës artificiale, në kuadër të një projekti për njohjen e fytyrës.
Dokumentet e siguruara nga “The Guardian” janë pjesë e një investigimi mbi varësinë e ushtrisë izraelite nga teknologjia dhe infrastruktura e shërbimeve kompjuterike cloud të Amazon për mbikëqyrjen e palestinezëve.
Sipas dokumenteve dhe intervistave me burime ushtarake, vitet e fundit Izraeli ka transferuar sasi të mëdha të dhënash, përfshirë materiale të ndjeshme të inteligjencës dhe informacione për palestinezët që jetojnë nën pushtim, në qendrat e të dhënave të Amazon.
Sasia e madhe e fotografive u transferua në një qendër të të dhënave të Amazon pranë Tel Avivit nga një departament i njohur zakonisht me emrin “Rolling Stone”, i cili bën pjesë në një njësi ushtarake të specializuar për softuerët.
Departamenti e ka marrë emrin nga një sistem i përdorur gjerësisht nga ushtria izraelite, i cili shërben si një bazë qendrore të dhënash për palestinezët që jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Në atë periudhë, departamenti po shqyrtonte mundësinë e përdorimit të teknologjive të njohjes së fytyrës për të analizuar arkivat e gjera të fotografive të palestinezëve që zotëronte, thanë disa burime të njohura me veprimtarinë e tij.
Pas nisjes së ofensivës tokësore të Izraelit në Gaza, në tetor të vitit 2023, ushtria izraelite nisi të grumbullonte rregullisht fotografi të palestinezëve teksa kalonin nëpër postblloqe, shpesh pasi ishin detyruar të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të bombardimeve.
Nuk dihet nëse 3.5 milionë fotografitë e ngarkuara në platformën Rekognition të Amazon ishin realizuar në këto postblloqe, të cilat në praktikë shërbenin si pika të përkohshme mbikëqyrjeje.
Megjithatë, një burim ushtarak i njohur me përpjekjet për përdorimin e njohjes së fytyrës në këto postblloqe tha se infrastruktura cloud e Amazon u përdor për shkak të “përmasave shumë të mëdha” të fotografive të mbledhura në këto pika.
Izraeli ka përdorur prej kohësh teknologjinë e njohjes së fytyrës, veçanërisht në kuadër të pushtimit të Bregut Perëndimor. Skanimi i fytyrave është një praktikë e zakonshme në pikat e kontrollit, ndërsa ushtarët izraelitë përdorin aplikacione të posaçme, të instaluara në telefonat inteligjentë, për të fotografuar banorët e territorit palestinez.
Në fazat e para të fushatës së tij në Gaza, Izraeli përdori Rekognition për të identifikuar pengjet e kapur nga militantët gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023. Ushtria përdori gjithashtu teknologjinë e njohjes së fytyrës për të identifikuar personat që dyshonte se ishin militantë.
Gazeta The New York Times kishte raportuar më herët se ushtria izraelite kishte eksperimentuar në Gaza me teknologji të disponueshme në treg, për të identifikuar fytyrat e njerëzve në turma dhe në pamjet e regjistruara nga dronët. Në disa raste, kjo teknologji i kishte identifikuar gabimisht civilët si militantë.
Dokumentet e reja zbulojnë përdorimin e teknologjisë së Amazon nga ushtria izraelite, si për eksperimentet me njohjen e fytyrës, ashtu edhe për një projekt shumë më të gjerë, që synonte transferimin e të dhënave të saj në serverët e kompanisë së shërbimeve kompjuterike, pjesë e konglomeratit të themeluar nga miliarderi Jeff Bezos.
Dokumentet hedhin gjithashtu dritë mbi llojin e të dhënave që ushtria izraelite po transferon në cloud dhe mënyrën se si përdor infrastrukturën e Amazon Web Services (AWS) për të mbështetur mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale të palestinezëve, të cilat zakonisht grumbullohen në mënyrë të pakontrolluar, përmes metodave ndërhyrëse dhe pa pëlqimin e tyre.
Dosjet sugjerojnë se lidhjet mes AWS dhe ushtrisë izraelite u thelluan gjatë një periudhe kur Izraeli është akuzuar për kryerjen e krimeve të rënda në Gaza, përfshirë gjenocidin. Një akuzë që Izraeli e mohon, por që mbështetet nga një komision hetimor i OKB-së, organizata izraelite për të drejtat e njeriut dhe ekspertë të gjenocidit.
Një zëdhënës i AWS deklaroi se kompania nuk ka “asnjë mundësi për të parë” përmbajtjen e të dhënave që klientët ruajnë në platformën e saj cloud.
Ai shtoi: “Ne respektojmë privatësinë e klientëve tanë dhe nuk diskutojmë marrëdhëniet tona me ta pa pëlqimin e tyre.”
Afrimi me gjigantët e teknologjisë
Në fillim të vitit 2024, një grup i vogël ushtarësh izraelitë punonte nga zyrat e AWS në Tel Aviv, të vendosura në katin e 28-të të një prej rrokaqiejve më të lartë të Izraelit.
Ushtarët po shqyrtonin mënyrat se si mund të shfrytëzonin infrastrukturën cloud të kompanisë për të përmirësuar funksionimin e një programi të njohjes së fytyrës që po zbatohej në Gaza, thanë disa burime ushtarake.
Nuk është e qartë nëse puna e tyre u vu në zbatim operacional apo nëse kishte lidhje me 3.5 milionë fotografitë e ngarkuara në Rekognition. Megjithatë, prania e këtij grupi në zyrat e AWS dëshmon marrëdhënien e ngushtë mes ushtrisë izraelite dhe ofruesit të shërbimeve cloud.
Një zëdhënës i AWS tha se klientët e kompanisë “i vizitojnë rregullisht zyrat tona për informime dhe takime”.
Ai shtoi: “Çdo pretendim se këto vizita nuk janë gjë tjetër veçse takime rutinë me klientët është i gabuar dhe i pambështetur në fakte.”
Themeli i marrëdhënies së Izraelit me Amazon është një kontratë e gjerë e vitit 2021, e njohur si “Project Nimbus”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje shumë miliardëshe, AWS dhe Google ofrojnë shërbime cloud për një gamë të gjerë institucionesh qeveritare dhe klientësh ushtarakë.
Vitin e kaluar, The Guardian zbuloi se kontrata Nimbus përmban kushte të pazakonta, të cilat i ndalojnë kompanitë amerikane të kufizojnë ose pezullojnë përdorimin e shërbimeve të tyre cloud nga qeveria dhe ushtria izraelite, edhe në rast se Izraeli shkel kushtet e përdorimit të këtyre shërbimeve.
Kjo do të pengonte marrjen e një mase të njëanshme si ajo e ndërmarrë vitin e kaluar nga Microsoft, e cila çaktivizoi aksesin e ushtrisë izraelite në teknologjinë që përdorej për funksionimin e një sistemi të mbikëqyrjes masive, të zbuluar më herët nga The Guardian dhe revista +972.
Në kuadër të marrëveshjes Nimbus, AWS hapi qendra të reja të të dhënave në Izrael në fillim të vitit 2023, duke u mundësuar institucioneve qeveritare dhe klientëve ushtarakë izraelitë të transferonin të dhënat nga serverët e tyre në infrastrukturën e kompanisë, sipas dokumenteve.
Një pjesë e konsiderueshme e të dhënave u transferua gjithashtu nga qendrat e të dhënave të AWS në Irlandë.
Një element kyç i kontratës Nimbus, sipas dokumenteve, ishte detyrimi i AWS për t’i siguruar ushtrisë izraelite akses në një zonë të veçuar brenda qendrave të saj të të dhënave në Tel Aviv, e pajisur me masa të shtuara sigurie fizike dhe dixhitale.
Kjo zonë e izoluar brenda infrastrukturës cloud të AWS, e përdorur për ruajtjen e materialeve të ndjeshme që lidhen me operacionet ushtarake dhe mbledhjen e informacioneve të inteligjencës, përshkruhej nga kompania dhe klienti i saj si një “kopsht i rrethuar me mure” (walled garden).
Varësia e ushtrisë izraelite nga AWS pasqyron afrimin e saj, vitet e fundit, me kompanitë kryesore amerikane të teknologjisë, për të përmbushur kërkesat teknologjike të luftës përmes kapaciteteve të zgjerueshme të ruajtjes së të dhënave, fuqisë kompjuterike dhe shërbimeve të bazuara në inteligjencën artificiale.
Roli i inteligjencës artificiale në ofensivën e Izraelit në Gaza është vënë sërish nën vëzhgim të rreptë, veçanërisht pas publikimit të dokumentarit “NAZA”, prodhuar nga The Guardian, i cili trajton mbikëqyrjen në distancë dhe vrasjen e civilëve palestinezë.
“Plani ishte të transferonim gjithçka”
Departamenti Rolling Stone është ndër klientët më të rëndësishëm ushtarakë izraelitë të AWS, sugjerojnë dokumentet.
Përdorimi i Rekognition në fillim të vitit 2024 për të analizuar 3.5 milionë fotografi erdhi pasi departamenti kishte zgjeruar përdorimin e produkteve dhe shërbimeve të AWS për ruajtjen dhe analizimin e të dhënave të tij.
Dokumentet tregojnë se gjatë vitit 2023, departamenti transferoi sasi të konsiderueshme të të dhënave që zotëronte në të ashtuquajturin “kopsht i rrethuar me mure” brenda infrastrukturës cloud të AWS.
Një burim ushtarak i përfshirë në këtë proces tha se departamenti kishte planifikuar të transferonte të gjitha bazat e të dhënave nga serverët ushtarakë në platformën cloud të AWS.
Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi: “Plani në Rolling Stone ishte të transferonim fotografitë, videot, të gjithë informacionin konfidencial të inteligjencës, gjithçka.”
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaroi se ushtria “nuk synon të komentojë angazhimet apo shërbimet që lidhen me nevojat operacionale”.
Departamenti Rolling Stone mbikëqyr disa baza të mëdha të dhënash, ku grumbullohen informacione për palestinezët, përfshirë edhe sistemin nga i cili ka marrë emrin vetë njësia.
I përdorur nga ushtria prej dekadash, sistemi Rolling Stone përditësohet vazhdimisht dhe përmban të dhëna si informacionet bazë personale dhe familjare, pronësitë e pasurive, si dhe të dhëna mbi kalimet nëpër postblloqe, lejet e punës dhe aktivitetin kriminal.
Një ushtar që dëshmoi për organizatën izraelite joqeveritare “Breaking the Silence” në vitin 2016, e përshkroi sistemin Rolling Stone si “një sistem të kompjuterizuar, ku përqendrohet i gjithë informacioni që lidhet me kontrollin e popullsisë civile palestineze”.
Si rezultat i kontrollit të Izraelit mbi regjistrat e popullsisë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, departamenti Rolling Stone ka grumbulluar miliona fotografi të palestinezëve, të realizuara për kartat e identitetit që i lëshohen çdo banori kur mbush 16 vjeç.
Burime të njohura me punën e departamentit thanë se këto fotografi përdoreshin rregullisht në programet e njohjes së fytyrës.
Mes tyre është edhe aplikacioni Blue Wolf, një aplikacion për telefonat inteligjentë që përdoret nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor për të skanuar fytyrat e palestinezëve dhe për të marrë informacione rreth tyre, përfshirë nëse janë identifikuar si persona të dyshuar për arrestim.
Në Gaza, në postblloqet e përkohshme të ngritura nga ushtria izraelite pas nisjes së ofensivës tokësore, kamerat drejtoheshin nga palestinezët për të regjistruar imazhet e tyre teksa afroheshin në këto pika.
Më pas, teknologjia e njohjes së fytyrës përdorej për t’i krahasuar këta persona me fotografitë e ruajtura në sistemet e Rolling Stone, thanë burimet.
Postblloqet u bënë famëkeqe në Gaza si vende ku palestinezët ndaloheshin dhe veçoheshin nga pjesa tjetër e njerëzve.
Shumë prej tyre u dërguan në paraburgim nga autoritetet izraelite dhe u mbajtën pa asnjë komunikim me botën e jashtme, në raste që, sipas disa organeve të OKB-së dhe organizatave për të drejtat e njeriut, përbënin zhdukje me forcë.
Dokumentet sugjerojnë se teknologjia cloud e AWS u përdor në disa raste gjatë vitit 2024 për të mbështetur funksionimin e këtyre postblloqeve.
Personat e brendshëm të ushtrisë thanë se ushtarët izraelitë u referoheshin këtyre postblloqeve me emrin Nakaz, një fjalë hebraike që do të thotë “kullues” ose “kanal kullimi”.



