Komuniteti shqiptar në Australi shpreh shqetësimin, zhgënjimin dhe revoltën e thellë ndaj mënyrës se si u organizua manifestimi i 7 Majit – Ditës së Policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga institucionet shtetërore dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Komuniteti shqiptar në Australi shpreh shqetësimin, zhgënjimin dhe revoltën e thellë ndaj mënyrës se si u organizua manifestimi i 7 Majit – Ditës së Policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga institucionet shtetërore dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Në një shtet që ndërtohet mbi parimet e bashkëjetesës ndëretnike dhe mbi frymën e Marrëveshjes së Ohrit, është e papranueshme që në një manifestim shtetëror të mungojë plotësisht gjuha shqipe, të mos ketë mbishkrime në shqip, të mos ketë fjalime në shqip dhe të mos përfaqësohet asnjë shqiptar ndër policët e përzgjedhur si më të mirët, ndonëse dihet qartë se në këtë institucion shërbejnë dhe kontribuojnë shumë shqiptarë.
Ky veprim nuk mund të relativizohet si “gabim organizativ” apo “harresë protokollare”. Sidomos kur vjen menjëherë pas refuzimit të studentëve shqiptarë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kur raste të tilla ndodhin njëra pas tjetrës, ato krijojnë përshtypjen e qartë të një klime përjashtuese dhe provokuese ndaj shqiptarëve në vend.
Shqiptarët në Republiken e Maqedonisë së Veriut nuk janë element i dorës së dytë dhe as dekor politik për t’u përdorur vetëm në periudha zgjedhore. Ata janë popull shtetformues, kontribuues në institucionet e sigurisë, në ekonomi, në kulturë dhe në vetë stabilitetin e shtetit. Çdo përpjekje për t’i anashkaluar apo minimizuar në jetën publike dhe institucionale është cenim i drejtpërdrejtë i parimeve mbi të cilat është ndërtuar paqja dhe bashkëjetesa në vend.
Po aq shqetësues mbetet edhe qëndrimi i partnerëve shqiptarë në qeveri. Heshtja përballë këtyre zhvillimeve ngre dyshime serioze mbi rolin e tyre real në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që qëndrojnë në pushtet vetëm për poste, privilegje dhe interesa personale, ndërsa heshtin kur cenohet dinjiteti kombëtar, gjuhësor dhe institucional i popullit që pretendojnë se përfaqësojnë.
Nëse nuk janë në gjendje të sigurojnë as respektimin minimal të gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të barabartë në institucionet shtetërore, atëherë prania e tyre në qeveri humb çdo kuptim politik dhe moral. Në atë rast, largimi nga qeveria do të ishte akti i vetëm dinjitoz dhe i ndershëm ndaj elektoratit shqiptar.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përfaqësive diplomatike të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE dhe organizatave ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat dhe standardet demokratike, që të mos i injorojnë këto sinjale shqetësuese.

Stabiliteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të ndërtohet mbi margjinalizimin gradual të shqiptarëve dhe as mbi relativizimin e të drejtave të fituara me sakrificë dhe marrëveshje politike. Marrëveshja e Ohrit nuk është dekor ceremonial për t’u përmendur vetëm në përvjetorë, por obligim konkret për institucionet shtetërore.
Heshtja përballë këtyre zhvillimeve vetëm sa inkurajon politika përjashtuese dhe rrit mosbesimin mes komuniteteve. Shqiptarët kërkojnë vetëm atë që u takon: respekt, barazi dhe trajtim dinjitoz në shtetin ku janë pjesë themeluese.
Komuniteti shqiptar në Australi do të vazhdojë të ngrejë zërin sa herë që cenohet dinjiteti dhe barazia e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse heshtja përballë padrejtësisë nuk është zgjidhje, por bashkëfajësi.

Reklame

By admin7