Struga Trim Lum vazhdon garën për të siguruar vendin e dytë në tabelë, pavarësisht se aktualisht ndodhet gjashtë pikë prapa KF Shkëndija. Skuadra nga Struga sot do të jetë mysafire në Tetovë, në një përballje të rëndësishme kampionale.
Kapiteni i ekipit, Bunjamin Shabani, tha se skuadra është e përgatitur për një ndeshje të fortë dhe me intensitet të lartë.
“Po presim një derbi kundër një ekipi shumë cilësor. Mendoj se do të jetë një ndeshje interesante dhe një festë për tifozët e futbollit. Ne jemi gati për këtë duel,” deklaroi Shabani.
Ai theksoi se në ndeshje të tilla statistikat nuk kanë shumë peshë dhe çdo përballje është histori më vete.
“Do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin, duke zbatuar planin taktik të stafit dhe duke luajtur lojën tonë. Besoj se në fund do të kemi rezultat pozitiv,” shtoi kapiteni i Struga Trim Lum.
Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Struga Trim Lum luhet sot në orën 16:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë.


