Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij para Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së tha se para Kryesisë së kësaj partie të martën ka propozuar listën, bartëse e së cilës do të jetë Vjosa Osmani me kandidaturën e saj për presidente, ndërsa i dyti ai vetë me kandidaturën për kryeministër.
Abdixhiku tha se pret që kjo listë të marrë miratimin përfundimtar nga Këshilli.
“Këtë të martë, në takimin e përbashkët të Kryesisë qendrore dhe kryetarëve të degëve të LDK, kam shtruar para tyre propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ndërtohet mbi rehati politike, por mbi përgjegjësi shtetërore. Në këtë listë kam propozuar garim të përbashkët për President të Republikës dhe Kryeministër të Republikës. Kam propozuar që LDK të garojë me presidenten Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Republikës dhe njëkohësisht bartëse të listës dhe me mua si kandidat të LDK për kryeministër të Republikës. Këtë propozim po e shtroj edhe para jush për miratim përfundimtar”.
Pas kësaj, anëtarët e Këshillit duartrokitën.
Ai tha se ka një arsye pse LDK po i hy garës së qershorit me dy kandidatura.
“Më duhet të theksoj se ka edhe një arsye tjetër thelbësore se pse LDK duhet të dalë me kandidat edhe për president edhe për kryeministër. Sepse për herë të parë në historinë tonë parlamentare, Kosova spo shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së shumicës parlamentare për krijimin e Qeverisë, por për shkak të moszgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ky është vetë thelbi i krizës tonë aktuale”.
Abdixhiku foli gjithashtu për bashkimin brenda partisë së tij, duke thënë se “në kohë të mëdha politike askush s’e ka luksin e rehatisë personale”.
“Askush s’e ka luksin e hatërmbetjeve, askush nuk ka të drejtë të vendosë veten mbi nevojën që ka Republika”.
Abdixhiku tha se këtë proces të bashkimin s’e ka nisur as për poste, as për pazare politike, por se “kaa qenë proces i ndërgjegjësimit”./Express/


