Loxha nga GLPS: Kosova ka vetëm 20-30% të nivelit të mirëqenies krahasuar me BE, dy herë më pak se Bullgaria
Hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, thotë se progresi i Kosovës drejt Bashkimit Europian nuk mund të përkufizohet në mënyrë të përgjithshme, por ndryshon ndjeshëm nga një fushë në tjetrën.
Në Ditën e Europës, në një podcast për Radion Evropa e Lirë, Loxha thotë se mirëqenia në Kosovë është dukshëm më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian.
“Kosova ka vetëm 20 deri në 30% të nivelit të mirëqenies krahasuar me vendet e BE-së”, thotë Loxha.
Ajo shton se, pavarësisht perceptimeve për kosto të ngjashme jetese, dallimi në të ardhura dhe shërbime mbetet i madh.
“Pagat dhe standardi i jetës në Kosovë janë shumë më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian”, thekson ajo.
Loxha merr shembull Bullgarinë si vendi më i varfër në Bashkimin Europian, por edhe krahasuar me të, sipas saj Kosova ka rreth dy herë më pak mirëqenie.


