Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar kompaninë BBI Plast në Vushtrri, një nga storjet e suksesit të prodhimit vendor në Kosovë, ku prodhohen ambalazhe plastike me cilësi të lartë.
Gjatë vizitës, Haradinaj u njoftua nga afër me punën e përditshme të kompanisë, si dhe me sfidat me të cilat përballen prodhuesit vendorë.
Ai theksoi se bizneset vendore po përballen me barrë të lartë të faturave të energjisë elektrike, si pasojë e varësisë nga importi i rrymës, gjë që sipas tij po e vështirëson seriozisht konkurrueshmërinë e tyre në treg.
Haradinaj u shpreh se për fuqizimin e prodhimit vendor nevojiten vendime strategjike në sektorin e energjisë dhe ekonomi të qëndrueshme.
Në këtë drejtim, ai tha se në qeverisjen e Ardian Gjinit do të rikthehen si prioritete projektet madhore energjetike, përfshirë ndërtimin e Termocentralit të ri dhe Gazsjellësin amerikan, të cilat sipas tij janë jetike për pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


