Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u ka bërë thirrje partive politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt, duke e cilësuar procesin zgjedhor si moment vendimtar për demokracinë.
Në mesazhin e tij, Tërnava tha se zgjedhjet janë dita kur “zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim”, ndërsa theksoi se vota duhet të jetë forcë për mbrojtjen e së ardhmes me guxim, unitet dhe vizion.
“Java tjetër është moment vendimtar për demokracinë, atë ditë kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim, dita kur vota bëhet forca për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim, unitet dhe vizion. Partitë fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt”, u shpreh Tërnava.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, derisa fushata nis zyrtarisht më 28 maj.


