Grupi i armatosur libanez Hezbollah ka refuzuar në mënyrë të prerë kushtet e një armëpushimi të mbështetur nga SHBA-të mes Izraelit dhe Libanit.
Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se bisedimet kanë qenë “të kota” dhe “poshtëruese”, ndërsa theksoi se marrëveshja është kundërshtuar nga “shtresa të gjera të shoqërisë libaneze”.
Kjo vjen pasi Izraeli dhe Libani njoftuan rinovimin e një armëpushimi të brishtë, me krijimin e “zonave pilot” brenda Libanit, ku ndalohet prania e operativëve të Hezbollahut. Marrëveshja gjithashtu kërkon që Hezbollahu të ndalojë sulmet ndaj Izraelit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më vonë se kishte biseduar me Hezbollahun dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe se po shënohej progres.
“Besoj se do të shihni zhvillime atje,” tha Trump, duke shtuar se do të ishte “shumë mirë nëse Libani do të kishte paqe”.
Megjithatë, para këtyre deklaratave, lideri i Hezbollahut ( i cili nuk ishte pjesë e negociatave) tha se armëpushimi i propozuar, që nënkupton ndalimin e zjarrit dhe tërheqjen e luftëtarëve nga fronti jugor me Izraelin, përbën dorëzim dhe u shërben interesave izraelite.
Edhe në periferitë jugore të Beirutit, bastion i Hezbollahut i njohur si Dahieh, qytetarët shprehën skepticizëm ndaj marrëveshjes.
Një pronar dyqani, Sami, i cili ka 25 vite që punon aty, tha për BBC-në: “Nuk mund të ketë armëpushim nga njëra palë. Ose është nga të gjitha palët, ose nuk është armëpushim.”
Ai shtoi se gjatë së enjtes kishte pasur sulme në Liban dhe pyeti se çfarë kuptimi kishte atëherë marrëveshja: “Kjo nuk është paqe. Ky është dorëzim!”
Në anën tjetër, Hadi, familja e të cilit ka një dyqan prej 35 vitesh, tha se nuk shihte asnjë shpresë, duke shtuar se kjo ndjenjë nuk ishte e re për brezat e tij.
“Mund të thuash qeveria izraelite, por jo domosdoshmërisht populli izraelit,” tha ai për BBC-në.
Sipas marrëveshjes së arritur pas një raundi të katërt bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Uashington, kërkohet tërheqja e të gjithë operativëve të Hezbollahut nga zona mes kufirit izraelit dhe lumit Litani, rreth 30 km në veri.
Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e “zonave pilot” ku ushtria libaneze do të marrë kontroll të plotë, duke përjashtuar çdo aktor jo-shtetëror, por pa përcaktuar qartë hartat apo mënyrën e zbatimit.
Bisedimet do të vazhdojnë më 22 qershor, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Hezbollahu, një organizatë shiite, parti politike dhe lëvizje sociale, është një nga grupet më të fuqishme në Liban dhe mbështetet nga Irani. Por konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar.

