Almir Kryeziu vishet “kuqezi”

Sulmuesi anësor firmos kontratë dyvjeçare me Shkëndijën dhe i bashkohet skuadrës në fazën përgatitore në Slloveni.

KF Shkëndija me kënaqësi konfirmon arritjen e marrëveshjes me sulmuesin e krahut, Almir Kryeziu, i cili zyrtarisht është futbollisti më i ri i kuqezinjve.

27-vjeçari ka kaluar me sukses ekzaminimet mjekësore, përpara se të firmosë kontratë dyvjeçare me klubin tonë.

Pas përfundimit të obligimeve mediatike, përfshirë fotografimin zyrtar dhe intervistën e parë si futbollist i Shkëndijës, Kryeziu ka udhëtuar drejt Sllovenisë, ku do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në fazën përgatitore.

Pas paraqitjeve të shkëlqyera në elitën e futbollit kosovar, Kryeziu ishte një nga futbollistët më të kërkuar në këtë afat kalimtar, me oferta serioze edhe nga jashtë vendit. Megjithatë, ai zgjodhi projektin e Shkëndijës dhe fanellën kuqezi.

Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë mirë se ardhje Almirit, duke i  uruar shumë suksese dhe fitore me skuadrën tonë!

By admin7