ASH: Çairi merr kredi prej 2 milionë euro për të shlyer borxhet, jo për investime

Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim për, siç e quan, mënyrën e menaxhimit financiar në Komunën e Çairit, duke reaguar pas vendimit të Këshillit Komunal për nisjen e procedurës për marrjen e një kredie afatgjatë prej 120 milionë denarësh, ose rreth 2 milionë euro. Në një konferencë për media, nga Aleanca për Shqiptarët thanë se, sipas materialeve të prezantuara para këshilltarëve, kredia nuk është paraparë për realizimin e projekteve të reja kapitale, por për shlyerjen e detyrimeve ekzistuese të komunës.

“Vetëm para gjashtë muajsh qytetarëve iu premtua zhvillim. Sot u ofrohet borxh i ri për të mbuluar borxhe të vjetra. Kjo nuk është qeverisje e përgjegjshme, por pranim publik i krizës financiare në komunë”, deklaruan nga ASH. Partia opozitare kërkoi nga udhëheqësia e Komunës së Çairit të bëjë publike strukturën e borxheve që do të mbulohen me kredinë, si dhe të sqarojë se cilat detyrime do të shlyhen dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare të komunës. Sipas Aleancës për Shqiptarët, qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse përmes kësaj kredie po mbulohen obligime të rregullta financiare apo pasojat e, siç pretendojnë ata, keqmenaxhimit, punësimeve partiake dhe kontratave të dyshimta.

Në të njëjtën kohë, ASH u bëri thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Entit Shtetëror për Revizion të kryejnë kontroll të furnizimeve publike, kontratave dhe menaxhimit financiar të Komunës së Çairit. “Çdo denar i marrë hua është barrë mbi qytetarët dhe duhet të arsyetohet deri në denarin e fundit. Çairit nuk i duhet borxh për të mbuluar borxhe. Çairit i duhet përgjegjësi, transparencë dhe qeverisje e ndershme”, theksuan nga Aleanca për Shqiptarët.

By admin7