Evropa po përjeton një nga valët më të rënda të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë, me temperatura që kanë arritur deri në 40°C në disa rajone dhe me pasoja të rënda në shëndet, energji dhe infrastrukturë.
Sipas agjencisë franceze të shëndetit publik, numri i viktimave të lidhura me të nxehtin ka shkuar në rreth 1,000 persona vetëm në Francë. Shumica e të ndjerëve janë të moshuar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se shifrat mund të rriten pasi të dhënat ende po përditësohen nga spitalet dhe qendrat e kujdesit.
Në shumë vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Francën, Austrinë dhe Poloninë, temperaturat ekstreme kanë shkaktuar probleme serioze në jetën e përditshme. Në Berlin, policia përdori automjete me topa uji për të freskuar turmat në rrugë, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin ekspozimin në diell dhe të qëndrojnë të hidratuar.

