Nga sot, kompanitë e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut mund të fillojnë pagesën e regresit për pushimin vjetor (K-15), ndërsa shuma minimale për vitin 2026 është përcaktuar në rreth 19.116 denarë.
Shuma e K-15 është llogaritur në bazë të pagave mesatare neto për muajt shkurt, mars dhe prill 2026, të cilat kanë qenë 46.159, 48.433 dhe 48.779 denarë. Mesatarja prej rreth 47.790 denarësh shërben si bazë për llogaritjen e regresit, i cili sipas Marrëveshjes Kolektive duhet të jetë së paku 40 për qind e kësaj vlere.
Të drejtën për të përfituar K-15 e kanë të gjithë të punësuarit në sektorin privat që kanë të paktën gjashtë muaj punë të pandërprerë te i njëjti punëdhënës gjatë vitit kalendarik.
Punëdhënësit mund të paguajnë edhe një shumë më të lartë, nëse kjo është paraparë me marrëveshje kolektive ose me vendim të brendshëm të kompanisë.
Nga ana tjetër, kompanitë që operojnë me humbje ose përballen me vështirësi financiare, në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet kolektive, mund të paguajnë një shumë më të ulët ose, në raste të caktuara, të lirohen nga kjo detyrim, por vetëm nëse disponojnë dokumentacionin dhe vendimet përkatëse të parashikuara me ligj.
Në rast se punëdhënësit nuk e paguajnë regresin e paraparë me ligj, ata mund të përballen me kontrolle nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe me gjoba financiare. Ndërkohë, punëtorët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Inspektoratin e Punës ose t’i kërkojnë të drejtat e tyre përmes gjykatës.
K-15 është një e drejtë ligjore e punëtorëve që buron nga marrëveshjet kolektive dhe legjislacioni i punës. /INA/

