Të nderuar,
Ndërsa shteti po zhytet në pasiguri energjetike, Telma publikoi se MEPSO vitin e kaluar e aktivizoi garancinë bankare të kompanisë kroate Dalekovod, e cila punonte në linjën e transmetimit Shkup- Veles, ndërsa në ndërkohë të njëjtës kompani i ndau një kontratë prej 19,3 milionë eurosh për interkoneksionin energjetik me Shqipërinë. Kjo nuk është rastësi, kjo është absurd!
MEPSO dhe Burim Latifi duhet t’ia shpjegojnë publikisht dhe në mënyrë të detajuar opinionit arsyet e aktivizimit të garancisë bankare ndaj kësaj kompanie, në një kohë kur po të njëjtës i është besuar një projekt strategjik shumë më i madh.
Për shkak të aktivizimit të garancisë bankare, ekziston një shqetësim i bazuar se kompania kroate Dalekovod mund të mos jetë në gjendje ta realizojë me kohë dhe pa probleme projektin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë.
Çfarë mesazhi u dërgohet qytetarëve dhe investitorëve nëse operatori shtetëror i transmetimit ndëshkon një kontraktor në një projekt, ndërsa të njëjtin e shpërblen me një kontratë të re dhe të dyshimtë? A janë vënë interesat kombëtare dhe stabiliteti energjetik në plan të dytë në favor të interesave të huaja apo politike të biznesit?
BDI kishte paralajmëruar më herët se, nën drejtimin e Burim Latifit, MEPSO nuk do të sillte zgjidhje reale për interkoneksionin me Shqipërinë. Gjetjet e sotme e konfirmojnë shqetësimin tonë: interkoneksioni me Shqipërinë rrezikon të mbetet i parealizuar, sepse vendimet nuk bazohen në profesionalizëm, por në interesa partiake apo personale.
Veçanërisht shqetësues është fakti se kontrata e re është nënshkruar me një konsorcium ku bëjnë pjesë edhe dy kompani të tjera, për të cilat ekzistojnë indicie serioze për lidhje me struktura të afërta me Milorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiqin. Kjo ndodhi pasi MEPSO e ndërpreu kontratën me kompaninë Energoinvest, e cila më pas ngriti padi në gjykata ndërkombëtare, ndërsa ekziston një mundësi reale që shteti të detyrohet të paguajë miliona euro dëmshpërblim. Këto veprime amatoreske dhe të pamenduara të Burim Latifit e ekspozojnë MEPSO-n dhe shtetin ndaj një rreziku serioz financiar dhe politik.
I bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Energjetikës që urgjentisht të nisin një revizion të pavarur të vendimeve të MEPSO-s, të verifikojnë procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit dhe të publikojnë të gjitha informacionet relevante mbi lidhjet financiare dhe afariste.



