Një sukses i jashtëzakonshëm vjen nga Fakulteti i Ekonomisë, ku studenti shqiptar Edon Rexhepi është diplomuar me mesatare të përsosur 10.00, duke u shpallur studenti më i mirë i gjeneratës 2022–2026 në Departamentin e Financës.
Rexhepi e cilëson këtë arritje si rezultat të punës së pandërprerë, disiplinës dhe përkushtimit gjatë katër viteve të studimeve, duke theksuar se një mesatare perfekte nuk fitohet vetëm me studim intensiv para provimeve.
“Rruga drejt një mesatareje prej 10.00 është jashtëzakonisht sfiduese dhe nuk varet vetëm nga studimi intensiv para provimeve, por kërkon punë dhe disiplinë të vazhdueshme gjatë gjithë vitit akademik”, u shpreh ai në një intervistë për Fakulteti.mk,transmeton Faktiditor.info
Ai tregon se sfida më e madhe nuk ishte mësimi i materialit, por ruajtja e të njëjtit nivel përkushtimi në çdo lëndë, ndërsa mbështetja e familjes, profesorëve dhe kolegëve ishte motivimi kryesor gjatë rrugëtimit të tij akademik.
Interesi i Edonit për ekonominë dhe financat lindi që në bankat e shkollës së mesme, ndërsa më vonë u përforcua edhe nga ndikimi i prindërve të tij, të cilët punojnë në një fushë të lidhur me ekonominë. Gjatë studimeve ai u fokusua veçanërisht në financa, sektor që, sipas tij, bashkon logjikën matematikore, analizën dhe kuptimin e sjelljes njerëzore.
Lëndët si Menaxhimi Financiar, Menaxhimi Bankar, Tregjet dhe Institucionet Financiare dhe analiza e pasqyrave financiare ishin ato që zgjuan interesin e tij më të madh dhe e orientuan drejt zhvillimit profesional në këtë fushë.
Rexhepi falënderoi publikisht profesorët për mbështetjen dhe përkushtimin gjatë studimeve, duke theksuar se ata ishin gjithmonë të gatshëm për konsultime dhe udhëzime shtesë. Ai vlerësoi edhe rolin e kolegëve dhe të Asamblesë Studentore, ku mori pjesë në aktivitete dhe projekte që, sipas tij, e ndihmuan të zhvillohej edhe jashtë auditorëve.
Pas përfundimit të studimeve, Edon Rexhepi ka realizuar edhe praktikën profesionale në Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke hedhur kështu hapat e parë drejt një karriere në sektorin financiar.
Mesatarja 10.00, përkushtimi katërvjeçar dhe titulli “Studenti më i mirë i gjeneratës” e bëjnë Edon Rexhepin një nga historitë më frymëzuese të suksesit akademik të këtij viti./Faktiditor.info/



