LVV-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij

Asamblistët e Lëvizjës Vetëvendosje në Prishtinë kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, pas një sinjalizimi anonim që, sipas tyre, përmban pretendime për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash.

Asamblistja e VV-së në Komunën e Prishtinës, Berita Abazi, tha se sinjalizimi është pranuar të mërkurën në mbrëmje nga një grup asamblistësh.

“Ne sot jemi këtu para Prokurorisë Speciale për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës dhe vetë Përparim Ramës, për shkak të një sinjalizimi të cilin e kemi pranuar mbrëmë pasdite nga një sinjalizues anonim. Mbrëmë kemi pranuar – një grup i asamblistëve të Prishtinës – e kemi pranuar një mesazh, një email sinjalizues, ku kemi parë mesazhe të shumta ku flitet për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash”, tha ajo.

Abazi tha se, sipas përmbajtjes së mesazheve, në komunikim përmendet shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, kompani ndërtimi, objekte dhe shuma parash.

“Në këto mesazhe, personi i cili komunikon me një person tjetër anonim është pikërisht shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama. Në këto biseda, personi në fjalë përpos që përmend kompani ndërtimi, përmend objekte ndërtimi, ai përmend edhe shuma, si dhe vetë pretendon se këto legalizime janë tërësisht të jashtëligjshme. Marrë parasysh këtë sinjalizim dhe rëndësinë e trajtimit të kësaj teme, ne sot jemi këtu përpara Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të dorëzojmë zyrtarisht kallëzimin penal në prokurori dhe të kërkojmë nga prokuroria veprim dhe hetim të menjëhershëm”, tha ajo.

Sipas saj, pretendimet e ngritura në sinjalizim përbëjnë një çështje serioze që kërkon hetim nga organet e drejtësisë.

“Ky është një skandal i madh. Këto keqpërdorime, këto legalizime të jashtëligjshme, janë kriminalitet i nivelit të lartë. Në këtë drejtim, është detyrë e prokurorisë që të hetojë dhe të vërtetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta. Ajo çka për ne është jashtëzakonisht shqetësuese është fakti sepse flitet për ndërtues, flitet për objekte të cilat lehtë janë të verifikueshme. Pra, ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit dhe ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës”, tha ajo.

By admin7