Hasanbegu, 6 gushti 2016: Nata kur vdekja trokiti në çdo derë…

Ka data që nuk shënohen vetëm në kalendar. Ka net që nuk përfundojnë kurrë në kujtesën e atyre që i kanë jetuar. Për banorët e Hasanbegut dhe zonave përreth, 6 gushti 2016 është pikërisht një natë e tillë – nata kur uji mori jetë njerëzish, shkatërroi shtëpi, ëndrra dhe la pas një dhimbje që vazhdon edhe sot, pas dhjetë vitesh.
Edhe unë isha aty.
Nuk e kam njohur atë tragjedi nga fotografitë, raportet apo kronikat televizive. E kam jetuar. Kam parë frikën në sytë e njerëzve, kam dëgjuar britmat për ndihmë dhe kam ndier pafuqinë përballë forcës së natyrës. Janë momente që nuk harrohen kurrë.
Ajo natë nuk bëri dallime. Mori prindër, fëmijë, të rinj e të moshuar. Më mori axhën bashkë me nipin e tij dy vjecar. Më mori dajën bashke me vajzën që nuk arritem ta gjem kufomen e voglushes. Mori gjithsej 23 jetë dhe la qindra familje pa kulm mbi kokë. Uji nuk hyri vetëm në shtëpi; ai hyri në zemrat tona dhe la plagë që nuk janë mbyllur as pas dhjetë vitesh.
Çdo 6 gusht takohem me dy njerëzit që atë natë ndamë të njëjtin ferr – Admirin dhe Orhanin. Bashkë shpëtuam tetë fëmijë. I kaluam përmes mureve te shtëpia e fqinjit, në katin e dytë, ndërsa uji kishte kaluar dy metra lartësi.
Por ka një dy momente që më ndjek çdo ditë të jetës sime.
Njera-
Pasi nxorëm tetë fëmijët, na mbetën në duar një vogëlush dyvjeçar dhe gjyshi i tij. Nuk jepnin më asnjë shenjë jete.
Në ato sekonda mora vendimin më të rëndë të jetës sime.
Admiri dhe Orhani më pyetën: “Çfarë bëjmë me ta?”
E dija se nuk kishim më asnjë mundësi. Rrezikonim të humbnim edhe jetët tona. Me zemër të copëtuar u thashë: “Mbylleni derën disi që të mos i marrë uji. Kur të qetësohet, do të kthehemi për t’i nxjerrë.”
Ashtu vepruam.
Ka edhe një kujtim që më përndjek po aq sa ai vendim i rëndë.
Teksa po ngjitesha nga muri drejt katit të dytë të shtëpisë për të vazhduar shpëtimin e njerëzve, humba ekuilibrin dhe rashë në ujërat e rrëmbyeshëm. Për disa çaste u zhduka nën ujë. Ata që ishin lart menduan se gjithçka kishte marrë fund, se edhe unë isha bërë viktimë e asaj nate.
Por ajo që nuk do ta harroj kurrë është britma e nënës sime.
Ajo britmë më kumbon në vesh edhe sot, pas dhjetë vitesh. Ishte britma e një nëne që besonte se po humbiste djalin e saj para syve. Nuk kishte dhimbje më të madhe se ajo që dëgjova në ato sekonda.
Zoti deshi ndryshe.
Rryma e furishme më përplasi pranë një peme. U kapa me të gjitha forcat pas degëve të saj dhe arrita të mbijetoj. Ishte një çast që ndau jetën nga vdekja. Nëse ajo pemë nuk do të ishte aty, ndoshta sot nuk do ta shkruaja këtë rrëfim.
Ka momente që njeriu nuk i harron kurrë. Jo sepse dëshiron t’i mbajë mend, por sepse ato mbeten përgjithmonë pjesë e shpirtit të tij. Britma e nënës sime është njëra prej tyre.

Janë vetëm pak fjalë, por ato më jehojnë në mendje prej dhjetë vitesh. Nuk kalon një ditë pa e rikujtuar atë çast. Çdo detaj, çdo britmë, çdo fytyrë dhe çdo sekondë e asaj nate janë ende të gjalla në kujtesën time.
Dhjetë vjet më vonë, shumë rrugë janë asfaltuar, shumë shtëpi janë rindërtuar dhe jeta ka vazhduar. Por kujtesa nuk rindërtohet. Dhimbja nuk mbulohet me asfalt dhe nuk zhduket me kalimin e viteve. Çdo 6 gusht rikthehen i njëjti ankth, të njëjtat pyetje dhe e njëjta zbrazëti për familjet që humbën më të dashurit e tyre.
Ky përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një ditë për të vendosur lule apo për të mbajtur fjalime. Duhet të jetë një ditë reflektimi. A kemi mësuar mjaftueshëm nga ajo tragjedi? A janë marrë masat e nevojshme që një katastrofë e tillë të mos përsëritet? A janë dëgjuar ndonjëherë zërat e banorëve që e përjetuan ferrin?
Fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalen, por pasojat e tyre mund të zbuten me përgjegjësi, planifikim dhe institucione që reagojnë në kohë. Çdo jetë e humbur duhet të na kujtojë se neglizhenca kushton shtrenjtë.
Sot nuk dua të flas vetëm për tragjedinë. Dua të flas edhe për njerëzit. Për fqinjët që hapën dyert për njëri-tjetrin. Për vullnetarët që punuan pa u lodhur. Për të rinjtë që rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët. Në mes të errësirës lindi solidariteti, dhe ai mbetet kujtimi më i bukur i natës më të tmerrshme që kemi përjetuar.
Në emër të kujtesës kemi detyrim të mos harrojmë. Jo për të jetuar peng i së kaluarës, por për të mbrojtur të ardhmen.
Dhjetë vjet kanë kaluar, por Hasanbegu ende e mban në zemër natën më të rëndë të historisë së tij.
Dhe unë po ashtu.
Ka plagë që koha nuk i shëron. Ajo vetëm na mëson të jetojmë me to.
Lavdi kujtimit të 23 viktimave. Respekt për familjet që edhe sot jetojnë me mungesën e më të dashurve të tyre. Zoti i mëshiroftë të gjithë ata që humbën jetën atë natë, ndërsa ne të gjallëve na mbetet detyrimi që të mos harrojmë kurrë.

By admin