Italia përfshihet nga vala ekstreme e të nxehtit – Alarm maksimal në 27 qytete, temperaturat shkojnë deri në 48°C

Italia po përballet me një nga valët më të forta të të nxehtit të këtij viti, ndërsa autoritetet kanë shpallur nivelin më të lartë të alarmit në 27 qytete kryesore, një masë që për herë të parë përfshin të gjitha qytetet e monitoruara nga Ministria italiane e Shëndetësisë.

Sipas meteorologëve, temperaturat ekstreme do të vazhdojnë të mbizotërojnë të paktën deri në mesin e muajit gusht, veçanërisht në rajonet qendrore dhe jugore të Italisë.

Situata është veçanërisht dramatike në Sardenjë, ku temperaturat kanë arritur deri në 48 gradë Celsius. Bletarët raportojnë humbje të mëdha, pasi qindra miliona bletë kanë ngordhur ose janë larguar nga kosheret, duke shkaktuar deri në 70 për qind humbje të prodhimit të mjaltit.

Ndërkohë, parashikimet tregojnë se një front me stuhi dhe ajër disi më të freskët mund të prekë veriun e Italisë duke filluar nga dita e diel. Megjithatë, për pjesën qendrore dhe jugore të vendit nuk pritet lehtësim i menjëhershëm, pasi vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

By admin