Mickoski: Nuk planifikojmë rritje të çmimit të energjisë elektrike, po punojmë për ulje ose rritje të tarifës së lirë

Nuk po mendojmë për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Po përgatisim një plan për të gjetur një formulë që ta ulim çmimin ose të paktën të rrisim tarifën e lirë, ndryshe nga shumica e vendeve në Evropë që planifikojnë ta rrisin çmimin e energjisë elektrike, deklaroi sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Kryeministri tha se Maqedonia po përballet me sukses me sfidat që ndikojnë në çmimet e energjisë, përfshirë krizën në Gjirin Persik dhe situatën aktuale me nivelin e lumit Danub.

Ai theksoi se politika e Qeverisë nuk është “të krijojë panik”, por të punojë qetë dhe me hapa të vegjël që sjellin rezultate dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Rezervuarët tanë në këtë moment, në fund të sezonit të ujitjes, janë rreth 70 për qind të mbushur dhe kemi pothuajse 500 gigavat-orë energji elektrike të akumuluar. Kjo është plotësisht e mjaftueshme që të ndihemi të sigurt dhe të mos kemi sfida në furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe industrinë”, tha Mickoski.

Ai shtoi se Qeveria po realizon projekte të mëdha kapitale në sektorin energjetik, duke përmendur investimin e parkut me erë të kompanisë “Alcazar” në komunat Shtip, Karbincë dhe Radovish, me vlerë rreth gjysmë miliardë dollarë në tre faza.

“Maqedonia në këtë moment është e sigurt dhe stabile, por njëkohësisht po përgatisim plan për 10 vitet e ardhshme. Sfidat e trashëguara nga e kaluara janë të mëdha, por ne nuk dorëzohemi, po i zgjidhim”, tha kryeministri.

Mickoski u ndal edhe te çmimet e karburanteve, duke thënë se Maqedonia e Veriut ka pasur çmime rreth gjysmë euro më të ulëta për litër krahasuar me vendet fqinje, ndërsa sipas tij, kjo politikë vazhdon edhe tani. Ai përmendi edhe krizën energjetike globale, duke thënë se lufta në Gjirin Persik dhe konflikti me Iranin kanë krijuar presione të mëdha në tregjet energjetike.

By admin7