VLEN ka publikuar akuza të reja ndaj BDI-së lidhur me hyrjen e “Alta Bankës” nga Beogradi në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, duke përmendur ish-funksionarë të kësaj partie, familjarë të Ali Ahmetit dhe transaksione milionëshe.
Sipas VLEN-it, procesi është zhvilluar në tri faza, ku përfshihen shitja e aksioneve shtetërore në “Stopanska Banka” të Manastirit, një kredi prej pesë milionë eurosh nga Beogradi dhe më pas shitja e aksioneve te biznesmeni serb Davor Macura.
Në deklaratën e saj, VLEN paraqet këtë kronologji:
- 6 dhe 13 qershor 2023: Qeveria merr vendim për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska Banka”, ndërsa vendimi mban nënshkrimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.
- 24 tetor 2024: Kompania “AS Senjak”, në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin VLEN e cilëson si krushk të Ali Ahmetit, blen aksione në bankën e Manastirit.
- 9 qershor 2025: Një kompani ku “AS Senjak” është bashkëpronare merr kredi prej pesë milionë eurosh nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.
- 17 shtator 2025: Sipas VLEN-it, “AS Senjak” ia shet aksionet në “Stopanska Banka” Davor Macurës dhe “Alta Bankës”.
Në këtë proces, VLEN përmend edhe emrat e Artan Grubit, Bujar Osmanit, Fatmir Besimit dhe Kreshnik Bekteshit, duke i akuzuar për përfshirje në krijimin e kushteve për shitjen e aksioneve shtetërore.
“Alta Banka hyri në Maqedoni si rezultat i një skeme kriminale të menduar mirë dhe me precizitet deri në detajet më të vogla”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga kjo parti kërkojnë përgjigje publike nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, duke parashtruar dy pyetje:
- Pse BDI-ja nuk e përmend në komunikatat e saj kompaninë “AS Senjak” dhe pronarin e saj, Selaudin Arifin?
- Nëse BDI-ja ka qenë kundër hyrjes së “Alta Bankës” në Maqedoni, pse Artan Grubi kishte nënshkruar në vitin 2023 vendimin për tjetërsimin e aksioneve shtetërore?
VLEN në reagimin e saj i referohet edhe situatës aktuale me Davor Macurën, për të cilin thotë se ndodhet në paraburgim në Serbi, si dhe administrimit të përkohshëm të vendosur në bankën e Manastirit nga Banka Popullore.



