Demet Özdemir zbulon çfarë mendon për aktoren që do ta zëvendësojë në “Eşref Tek”

Aktorja turke Demet Özdemir ka folur për herë të parë lidhur me projektin e ri “Eşref Tek”, i cili tashmë ka nisur xhirimet, por ku ajo nuk do të jetë pjesë e kastit.

E pyetur për faktin se është zbuluar emri i aktores që do të jetë në rolin kryesor femër, Aybüke Pusat, si dhe për vazhdimin e projektit në platformën digjitale, Demet u shpreh se nuk është e informuar për detajet e tij.

“Meqë nuk ka vazhdim të këtij projekti, nuk e kam lexuar dhe nuk jam në dijeni për të. Gjithsesi, uroj gjithë të mirat dhe shpresoj që gjithçka t’u shkojë mbarë”, u shpreh aktorja.

Ndërkohë, e pyetur nëse kishte ndonjë pakënaqësi lidhur me këtë projekt, duke qenë se më parë kishte interpretuar personazhin kryesor femër në serialin “Eşref Rüya”, Demet e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

“Jo, aspak. Nuk mund të ketë asnjë lloj pakënaqësie, kjo është e pamundur. Ne kemi bërë një punë shumë të mirë dhe e kemi përfunduar”, deklaroi ajo.

Sa i përket projektit të ri, “Eşref Tek” ka nisur xhirimet në Qipro dhe do të vijë si një prodhim i veçantë për platformën Prime Video.

Në rolet kryesore janë konfirmuar Çağatay Ulusoy dhe Aybüke Pusat, ndërsa pjesë e kastit do të jetë edhe Görkem Sevindik.