A do të përfundojnë në tryezat e qytetarëve djathërat dhe kaçkavalli i kthyer nga Kosova?

Dy ngarkesa me produkte qumështi nga “Mlekara Tetovo”, me peshë totale prej 12.268 kilogramësh, janë kthyer nga autoritetet e Kosovës. Pas rasteve të përsëritura të refuzimit të produkteve të kësaj qumështoreje, për shkak të dyshimeve për sigurinë ushqimore, shtrohet një pyetje serioze: çfarë ndodh me produktet që kthehen nga eksporti dhe a mund të përfundojnë ato në tregun vendas?

Rasti ka rikthyer në vëmendje çështjen e kontrollit të produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa autoritetet kosovare kanë refuzuar disa ngarkesa, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Maqedoninë e Veriut thotë se kontrollet e saj të deritanishme nuk kanë evidentuar parregullsi në produktet e testuara.

Megjithatë, dallimet në rezultatet laboratorike dhe përsëritja e rasteve kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si kontrollohet cilësia e produkteve dhe sa të sigurta janë ato për konsumatorët.

Analizat laboratorike ende pa rezultate

Pas rastit të fundit, inspektorët e AUV-së kanë kryer një kontroll të jashtëzakonshëm në kompaninë AD “Mlekara Tetovo”.

Gjatë inspektimit janë marrë mostra të produkteve të qumështit dhe produkteve të përbëra, por edhe nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe punonjësit. Mostrat janë dërguar për analiza në dy laboratorë të pavarur, ndërsa rezultatet ende nuk kanë mbërritur.

“Gjatë inspektimit të jashtëzakonshëm në qumështore janë marrë mostra të produkteve të qumështit dhe produkteve të përbëra, si dhe mostra nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe punonjësit, të cilat janë dërguar për testim në dy laboratorë të pavarur. Rezultatet ende nuk i kemi pranuar”, bëhet e ditur nga AUV.

Agjencia thekson se nuk ka marrë njoftim zyrtar nga autoritetet e Kosovës, ndërsa operatori ekonomik ka paraqitur kërkesë për kthimin e ngarkesës, e cila aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e institucioneve kosovare.

Sipas AUV-së, kontrollet e mëparshme të rregullta dhe të jashtëzakonshme, përfshirë analizat laboratorike të datave 29 prill dhe 21 tetor, nuk kanë evidentuar parregullsi në mostrat e testuara.

Nuk është hera e parë që produktet kthehen nga Kosova

Ky nuk është rasti i parë kur produktet e kësaj qumështoreje refuzohen nga autoritetet kosovare.

Në fund të prillit, nga Kosova u kthyen 12.9 tonë produkte, ndërsa 980 kilogramë produkte të përbëra u shkatërruan për shkak të rezultateve laboratorike jo të kënaqshme.

Në muajin gusht, pas një tjetër rasti të kthimit të ngarkesës, AUV urdhëroi shkatërrimin e 1.260 kilogramëve produkte qumështi, të cilat autoritetet kosovare i kishin vlerësuar si të pasigurta. Ndërkohë, analizat e kryera në Maqedoninë e Veriut për katër produkte të tjera nga e njëjta dërgesë kishin rezultuar të kënaqshme.

Në rastin më të fundit, autoritetet e Kosovës kanë kthyer dy ngarkesa me peshë të përgjithshme prej 12.268 kilogramësh.

Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: konstatimet për praninë e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar u referohen ngarkesave të mëparshme nga ky prodhues dhe jo dy ngarkesave të fundit, të cilat nuk u lejuan të qarkullonin në tregun e Kosovës.

Ministria e Bujqësisë: Prodhuesit duhet të mbajnë përgjegjësi

Edhe Ministria e Bujqësisë ka reaguar lidhur me rastet e përsëritura të kthimit të produkteve maqedonase nga tregjet e huaja.

Nga kjo ministri vlerësojnë se raste të tilla ngrenë shqetësime jo vetëm për produktet e destinuara për eksport, por edhe për cilësinë dhe sigurinë e ushqimit që shitet në tregun vendas.

“Kur dërgesat e produkteve tona kthehen nga jashtë vendit për shkak të parregullsive të konstatuara, lind në mënyrë të pashmangshme pyetja për cilësinë e prodhimit maqedonas. Nuk bëhet fjalë vetëm për produktet e destinuara për eksport, por edhe për ato që vendosen në tregun vendas. Prodhuesit kërkojnë subvencione dhe mbështetje shtetërore, por në të njëjtën kohë kanë përgjegjësi të ofrojnë ushqim cilësor dhe të sigurt”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për gazetën “Veçer”.

Ministria thekson se mbështetja shtetërore për bujqësinë duhet të shoqërohet me kontrolle të rrepta dhe përgjegjësi të qartë nga ana e prodhuesve.

Kush garanton sigurinë e ushqimit në tregun vendas?

Përveç produkteve të qumështit, raste të tjera të refuzimit të produkteve maqedonase janë regjistruar edhe në tregjet e huaja. Kthimi i specave dhe mollëve nga Bullgaria për shkak të niveleve të larta të pesticideve, si dhe refuzimi i produkteve të tjera në Kroaci dhe Mal të Zi për shkak të parregullsive të konstatuara, kanë shtuar shqetësimet për kontrollin e cilësisë së prodhimit vendas.

Në këtë situatë, qytetarët kërkojnë përgjigje konkrete nga institucionet: A do të shkatërrohen produktet që rezultojnë të pasigurta? A do të lejohen të shiten në tregun vendas ato që kthehen nga eksporti? Dhe kush mban përgjegjësi nëse produktet e papërshtatshme për konsum përfundojnë në tryezat e qytetarëve?

Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta dhe transparente nga AUV-ja dhe institucionet përgjegjëse.

Sepse siguria ushqimore nuk mund të jetë standard vetëm për eksport. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë të njëjtën të drejtë të konsumojnë produkte të sigurta dhe cilësore si konsumatorët në çdo vend tjetër.