Rama nga Brukseli: Serbia duhet ta njohë Kosovën, incidenti me këngën nacionaliste nuk duhet të kalojë në heshtje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga Brukseli lidhur me incidentin e shkaktuar nga interpretimi i një kënge me përmbajtje nacionaliste serbe, në prag të Forumit të II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij në këtë forum, Rama e cilësoi ngjarjen si një veprim të papranueshëm, duke theksuar se ajo nuk duhet të kalojë në heshtje. Ai nënvizoi se këngë të tilla nuk prekin vetëm ndjenjat e shqiptarëve dhe qytetarëve të Kosovës, por bien ndesh edhe me frymën evropiane që synon bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë.

“Një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi, kundër gjithçkaje që përfaqësonte. Nuk është se e lëndon vetëm ndjenjën e kombit shqiptar, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lejuar që kjo të kalojë në heshtje”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se, pavarësisht rëndësisë së ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Serbinë dhe orientimit të saj drejt Bashkimit Evropian, nuk duhet të lejohen veprime që rikthejnë retorikën nacionaliste dhe konfliktet e së kaluarës.

Rama ishte i drejtpërdrejtë edhe sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ishte në interes të të gjithë rajonit.

“Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për ne”, u shpreh ai.

Në fund, Rama përcolli edhe një mesazh për integrimin evropian të vendeve të rajonit, duke theksuar se synimi nuk duhet të jetë vetëm afrimi i Ballkanit me Evropën, por sjellja e vlerave dhe standardeve evropiane në vetë rajonin.

“Ne nuk po kërkojmë që të vijmë këtu, po kërkojmë që të sjellim Europën atje”, përfundoi Rama.

Alarm në industrinë gjermane, humben mbi 140 mijë vende pune brenda një viti, sektori i automobilave më i godituri