Hoti: Gjatë qeverisjes së VV-së, rritja ekonomike ishte më e ulët dhe inflacioni më i lartë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se gjatë viteve 2022–2026 Kosova ka pasur rritje më të ulët ekonomike dhe inflacion më të lartë krahasuar me periudhën e qeverisjes së LDK-së.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hoti ka theksuar se, pavarësisht zhvillimeve të ndryshme në ekonominë globale, Qeveria nuk ka ndërmarrë politika fiskale për të zbutur inflacionin dhe masa makroekonomike për të nxitur rritjen ekonomike.

Sipas tij, fokusi i ekzekutivit ka qenë kryesisht te skemat sociale dhe subvencionet, ndërsa mosrealizimi i projekteve kapitale ka pamundësuar injektimin e qindra miliona eurove në ekonomi.

Hoti ka përmendur edhe praktikat e disa vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat, përballë inflacionit, kanë ulur ose hequr përkohësisht ngarkesat tatimore për derivatet, energjinë dhe mallrat e tjera.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosndërmarrjen e masave të tilla, duke vlerësuar se kjo ka ndikuar në shtrenjtimin e konsumit familjar.

Sipas Hotit, rritja e çmimeve ka bërë që familjet të shpenzojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave për ushqime, duke reduktuar shpenzimet për nevoja të tjera që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe zhvillimin afatgjatë të fëmijëve.