Një krijesë e vogël detare, pothuajse transparente, po tërheq vëmendjen e shkencëtarëve në mbarë botën për një aftësi të jashtëzakonshme, ajo mund ta kthejë ciklin e saj jetësor pas dhe të rikthehet në një fazë më të hershme të zhvillimit, duke shmangur kështu plakjen dhe vdekjen nga shkaqe natyrore.
Bëhet fjalë për kandilin e detit të njohur si “meduza e pavdekshme” (Turritopsis dohrnii), një specie që ka aftësinë të shndërrohet nga një organizëm i rritur në një strukturë qelizore, prej së cilës zhvillohet sërish në polip, faza fillestare e jetës së saj. Ky proces mund të përsëritet dhe, në teori, i jep kësaj krijese një potencial pothuajse të pakufizuar për t’u rinovuar.
Kur përballet me kushte të vështira ose stres të fortë, kandili i detit ndalon së lëvizuri dhe fundoset në fund të ujit. Më pas, trupi i tij shndërrohet në një masë sferike qelizash, nga e cila brenda një deri në tri ditësh zhvillohet një polip. Ky i fundit formon një koloni, prej së cilës lindin kandilë të rinj deti.
Biologia detare Maria Milieta, nga Universiteti Texas A&M në Galveston, ka studiuar prej vitesh këtë fenomen, duke u përpjekur të kuptojë se si organizmi arrin t’i mbijetojë kushteve ekstreme. Edhe përballë eksperimenteve të ndryshme, përfshirë ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe kripësisë së ujit, kjo specie ka treguar një qëndrueshmëri të pazakontë.
“Një kandil deti që nuk vdes mund të krijojë një koloni të tërë, e cila nga ana e saj mund të prodhojë qindra të tjerë”, shpjegon Milieta.
Zbulimi që mund të ndryshojë mënyrën si kuptojmë plakjen
Aftësia e kësaj specieje u dokumentua për herë të parë në vitin 1992, kur një shkencëtar italian vuri re se kandilët e detit që kishte mbajtur në laborator, në vend që të ngordhnin pasi nuk ishin ushqyer për disa ditë, ishin kthyer në polipe të reja.
Zbulimi nxiti interesin e studiuesve për mekanizmat biologjikë që mundësojnë këtë proces. Një prej tyre është i ashtuquajturi “transdiferencim”, përmes të cilit qelizat e specializuara të një organizmi të rritur kthehen në një gjendje më pak të diferencuar dhe më pas shndërrohen në lloje të tjera qelizash.
Në kushte normale, qelizat e trupit mbeten të specializuara në funksionet e tyre deri në momentin kur plaken dhe vdesin. Por te Turritopsis dohrnii, ky proces mund të përmbyset, duke i lejuar organizmit të rindërtojë veten nga një fazë shumë më e hershme e zhvillimit.
Shkencëtarët besojnë se kuptimi i këtij mekanizmi mund të hapë rrugë të reja në mjekësinë rigjeneruese. Synimi nuk është që njerëzit të kthehen në foshnje, por të zbulohet nëse qelizat dhe indet njerëzore mund të rikthehen në gjendje më të reja, duke përmirësuar aftësinë e tyre për t’u riparuar.
Michael Koldobsky, onkolog pediatrik dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins, shprehet se studimi i këtyre organizmave mund të ndihmojë në kuptimin e proceseve që lidhen me plakjen dhe degjenerimin e indeve.
Nëse në të ardhmen identifikohen mekanizma të ngjashëm tek njerëzit, kjo mund të ndihmojë në përshpejtimin e shërimit të plagëve, riparimin e indeve të dëmtuara pas goditjeve në tru apo infarktit dhe, potencialisht, në trajtimin e disa problemeve që lidhen me humbjen e shikimit dhe sëmundjen e Alzheimerit.
Çfarë kanë zbuluar studiuesit në ADN-në e saj?
Një studim i vitit 2022, në të cilin u krahasua materiali gjenetik i Turritopsis dohrnii me atë të një specieje të afërt, zbuloi disa karakteristika interesante.
Studiuesit vunë re se kjo meduzë ka më shumë kopje të gjeneve përgjegjëse për prodhimin e proteinave që ndihmojnë në riparimin e ADN-së dhe korrigjimin e dëmtimeve gjenetike që grumbullohen me kalimin e moshës.
Gjithashtu, ajo ka më shumë kopje të gjeneve që lidhen me mirëmbajtjen e telomereve, strukturave mbrojtëse që ndodhen në skajet e fijeve të ADN-së. Normalisht, telomeret shkurtohen me kalimin e viteve, duke e bërë materialin gjenetik më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve. Aftësia e kësaj meduze për t’i mirëmbajtur ato mund të jetë një prej faktorëve që shpjegon jetëgjatësinë e saj të pazakontë.
Ndërkohë, studime të tjera të kryera në vitet 2019 dhe 2021 kanë identifikuar aktivitet të shtuar të disa gjeneve që lidhen me riparimin e ADN-së dhe mirëmbajtjen e telomereve, si dhe të disa gjeneve të tjera, funksioni i të cilave ende nuk është kuptuar plotësisht.
Një tjetër zbulim paraprak sugjeron se disa prej gjeneve që aktivizohen gjatë procesit të rigjenerimit të meduzës përputhen me gjene që janë lidhur me jetëgjatësinë tek njerëzit. Kjo ka shtuar interesin për mundësinë e ekzistencës së mekanizmave të përbashkët biologjikë mes dy specieve.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimet janë ende në fazat e para dhe se shfrytëzimi i këtyre mekanizmave në mjekësinë njerëzore mbetet një sfidë e madhe.
A është vërtet e pavdekshme?
Pavarësisht nofkës, “meduza e pavdekshme” nuk është e pathyeshme. Ajo mund të vdesë nga grabitqarët, mungesa e ushqimit, ndryshimet në mjedisin detar apo faktorë të tjerë natyrorë.
Madje, studiuesit kanë vënë re se jo të gjithë individët e kësaj specieje arrijnë të kryejnë procesin e rigjenerimit. Edhe ata që e kanë këtë aftësi mund të kenë një kufi në numrin e herëve që mund ta përsërisin atë.
Për më tepër, mbajtja e tyre për periudha të gjata në laborator është e vështirë, pasi duket se kanë nevojë për kushte shumë specifike për të mbijetuar.
Sipas studiueses María Pascual Torner, e cila mori pjesë në kërkimin e vitit 2022, kjo krijesë përfaqëson një paradoks të veçantë të natyrës, megjithëse mund të shmangë plakjen përmes rigjenerimit, ajo mbetet jashtëzakonisht e prekshme ndaj rreziqeve të mjedisit.
Kështu, “meduza e pavdekshme” vazhdon të jetë një prej shembujve më të jashtëzakonshëm të biologjisë, ndërsa studimi i saj mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë plakjen dhe mundësitë e ripërtëritjes së qelizave njerëzore. Megjithatë, për momentin, pavdekësia mbetet një sekret i natyrës dhe jo një mundësi e arritshme për njerëzimin.



