Arrestohet në Serbi 19-vjeçari nga Maqedonia e Veriut! Dyshohet se tentoi ta vriste “Alibegun”, ish-liderin e tifozëve të Partizanit

Një 19-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar në Serbi nën dyshimin se ka tentuar ta vrasë Nenad Alajbegoviqin, i njohur si Alibeg, ish-lider i tifozëve të klubit të futbollit “Partizani” të Beogradit.

Sipas mediave serbe, i dyshuari me inicialet A.A. është arrestuar në kufirin me Kroacinë, teksa po përpiqej të largohej nga Serbia.

Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndaj 19-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, nën dyshimin për tentativë vrasjeje, si dhe për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 8 korrik 2025, në rrugën “Narodnih heroja”, në lagjen Novi Beograd.

Dyshohet se i riu nga Maqedonia ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të Nenad Alajbegoviqit, i cili në momentin e sulmit ndodhej në veturën e tij.

Alajbegoviq, i njohur me nofkën Alibeg, është ish-lider i grupit të tifozëve të Partizanit, të njohur si “Grobari”. Mediat serbe raportojnë se edhe më parë ka qenë cak i sulmeve të armatosura.

Autoritetet serbe po vazhdojnë procedurat për zbardhjen e të gjitha rrethanave të sulmit dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale të të dyshuarit.