Gruaja e ambasadorit rus ‘ndez’ përplasje diplomatike në Australi, braktiset klubi i grave

Klubi Ndërkombëtar i Grave në Canberra, i krijuar për të bashkuar gra nga kultura dhe kombësi të ndryshme, është përfshirë në një përplasje diplomatike për shkak të luftës në Ukrainë.

Konflikti nisi pas vendimit për të pranuar si anëtare bashkëshorten e ambasadorit rus në Australi, Irina Petrakova, pavarësisht kundërshtimit të bashkëshortes së ambasadorit ukrainas, Liana Myroshnychenko. Kjo e fundit kërkoi që pranimi i saj të shtyhej të paktën deri në përfundimin e luftës, duke argumentuar se nuk bëhej fjalë thjesht për një grua me origjinë ruse, por për bashkëshorten e përfaqësuesit të një shteti që po shkatërron vendin dhe jetën e popullit të saj.

Klubi, i themeluar në vitin 1964 dhe që numëron më shumë se 300 anëtare nga rreth 50 kombësi të ndryshme, iu drejtua juristëve për të shqyrtuar kërkesën. Sipas televizionit publik australian ABC, këshilla ligjore ishte se refuzimi i pranimit të Irina Petrakovës mund ta ekspozonte organizatën ndaj një padie për diskriminim.

Në këto kushte, bashkëshortja e ambasadorit rus u pranua si anëtare. Vendimi shkaktoi pakënaqësi, e cila u thellua në nëntor, kur Liana Myroshnychenko vendosi të largohej nga klubi përmes një letre drejtuar drejtuesve dhe anëtareve të tij. Bashkë me të u larguan edhe bashkëshortet e ambasadorëve të Italisë dhe Estonisë, siç raportoi fillimisht gazeta Politico.

Përplasja u bë edhe më e ashpër gjatë asamblesë vjetore të klubit, ku, sipas Myroshnychenkos, presidentja Sandie Kaine i kishte cilësuar si “fanatike” gratë që kishin vendosur të largoheshin. Kaine mohoi se komentet e saj u drejtoheshin konkretisht atyre, por deklaroi se nëse dikush e ka problem të qëndrojë në të njëjtën dhomë me një person tjetër, kjo është çështje e tij, pasi në botë ka shumë luftëra. Deklarata shkaktoi reagime të tjera, ndërsa Marta Stachurski, anëtare e klubit prej rreth dhjetë vitesh, e cilësoi atë si “thellësisht të papërshtatshme” dhe dha gjithashtu dorëheqjen.

Çështja kaloi përtej një mosmarrëveshjeje mes anëtareve të klubit dhe mori përmasa diplomatike. Ambasadori ukrainas në Australi, Vasyl Myroshnychenko, u shpreh i tronditur nga qëndrimi i presidentes, duke theksuar se shmangia e bashkëshortes së ambasadorit rus është çështje ndërgjegjeje, dinjiteti dhe solidariteti me Ukrainën.

Nga ana tjetër, ambasadori rus Mikhail Petrakov pretendoi se protesta ka prapavijë politike dhe lidhet edhe me negociatat e paqes që po zhvillohen në Abu Dhabi. Ai akuzoi Kievin se po ushtron presion ndaj institucioneve australiane dhe po nxit rusofobinë, ndërsa mbrojti pranimin e bashkëshortes së tij, duke argumentuar se ishte bërë në përputhje me rregullat e klubit dhe ligjet australiane.