Tragjedia që tronditi Amerikën/ Dështoi procesi i parë për vrasjen e tre fëmijëve të saj, gjykata rikthen çështjen e Lindsay Clancy

Lindsay Clancy, gruaja amerikane e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj të mitur, rikthehet këtë të hënë në gjykatë, ku pritet të përcaktohet data e rigjykimit të saj.

Çështja, e cila tronditi opinionin publik në SHBA, ka nxitur debate të forta mbi përgjegjësinë penale të 36-vjeçares dhe ndikimin e mundshëm të psikozës pas lindjes në momentin e krimit.

Gjyqtari William Sullivan, në gjykatën e Plymouth në Massachusetts, ka bërë të ditur se synon të caktojë gjatë seancës datën e procesit të dytë gjyqësor. Sipas tij, rigjykimi mund të zhvillohet në muajin mars.

Procesi i parë përfundoi pa një vendim përfundimtar më 4 shtator, pasi 12 anëtarët e jurisë nuk arritën të binin dakord unanimisht për fajësinë ose pafajësinë e të pandehurës. Për këtë arsye, gjykata shpalli procesin të pavlefshëm.

Prokuroria e Qarkut Plymouth ende nuk ka bërë të ditur se si do të vijojë procedimi penal dhe nëse do të kërkojë sërish dënimin e Clancy-t për vrasje të shkallës së parë apo do të shqyrtojë akuza më të lehta.

Në një seancë të zhvilluar më 2 nëntor, prokurorja ndihmëse Jennifer Sprague deklaroi se synimi i organit të akuzës ishte zhvillimi i një procesi të dytë, por vendimi për mënyrën se si do të procedohej do të merrej pasi gjykata të shqyrtonte disa kërkesa të paraqitura nga palët.

Javën e kaluar, gjyqtari mbështeti në pjesën më të madhe qëndrimin e prokurorisë, duke rrëzuar edhe kërkesën e mbrojtjes për pushimin e çështjes me argumentin se një rigjykim do të cenonte të drejtat kushtetuese të 36-vjeçares.

Lindsay Clancy përballet me akuzat për vrasjen e vajzës së saj Cora, 5 vjeçe, djalit Dawson, 3 vjeç, dhe foshnjës Callan, vetëm 8 muajsh. Ngjarja tragjike ndodhi më 24 janar të vitit 2023, në banesën e familjes në Duxbury, një qytet pranë Bostonit në Massachusetts.

Gjatë procesit të parë gjyqësor nuk u kundërshtua fakti se Clancy kishte mbytur tre fëmijët me llastiqe elastike ushtrimesh, në bodrumin e banesës. Pas ngjarjes, ajo kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke u dëmtuar me thikë dhe duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë. Si pasojë, ajo mbeti e paralizuar.

Nëse shpallet fajtore për vrasje të shkallës së parë, Clancy rrezikon burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Strategjia e mbrojtjes është përqendruar te gjendja e saj mendore në momentin e ngjarjes. Avokatët pretendojnë se 36-vjeçarja vuante nga psikoza pas lindjes dhe se nuk ishte e aftë të kuptonte natyrën dhe pasojat e veprimeve të saj.

Për këtë arsye, ata kanë kërkuar që ajo të shpallet e pafajshme për shkak të mungesës së përgjegjësisë penale, një dispozitë ligjore që në Massachusetts lidhet me paaftësinë mendore për të mbajtur përgjegjësi për një krim.

Pas shpalljes së procesit të parë të pavlefshëm, disa anëtarë të jurisë deklaruan në intervista televizive se ishin të gatshëm ta shpallnin Clancy-n të pafajshme për shkak të gjendjes së saj mendore, por një anëtar i jurisë nuk kishte rënë dakord.

Një vendim i tillë do të kishte çuar në vendosjen e saj në një spital psikiatrik shtetëror, nën mbikëqyrjen dhe shqyrtimin periodik të gjykatës. Përveç kërkesës për dënim për vrasje të shkallës së parë, prokuroria ka edhe mundësinë të ndjekë akuza më të lehta, si vrasja e shkallës së dytë.

Në këtë rast, Clancy do të kishte mundësinë të hiqte dorë nga gjykimi me juri dhe të zgjidhte një proces përpara gjyqtarit. Nëse shpallet fajtore për vrasje të shkallës së dytë, ajo përballet gjithashtu me burgim të përjetshëm, por ndryshe nga akuza e shkallës së parë, do të kishte mundësinë e lirimit me kusht.

Seanca e kësaj të hëne pritet të jetë vendimtare për hapat e ardhshëm të një prej çështjeve më të rënda gjyqësore që ka tronditur opinionin publik amerikan vitet e fundit.