Mickoski dënon sulmin brutal ndaj vajzës në Ohër: Do të bëjmë gjithçka për ta çuar autoren para drejtësisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj një vajze të re në Ohër, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të tmerrshëm dhune. Ai ka premtuar se institucionet do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që autorja e sulmit të përballet me drejtësinë.

Nga Brukseli, ku po zhvillon takime zyrtare në kuadër të angazhimeve për interesat e Maqedonisë së Veriut, Mickoski reagoi pas lajmit që tronditi qytetin e Ohrit dhe opinionin publik në vend.

Ai tha se lajmi për sulmin ndaj vajzës e kishte tronditur thellë dhe shprehu keqardhje për atë që kishte ndodhur.

“Fatkeqësisht, kam marrë lajmin e tmerrshëm që tronditi banorët e Ohrit, por edhe qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, për incidentin dhe rrahjen e vajzës së re. Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur keqardhjen time dhe për të dënuar fuqishëm egërsinë që po ndodh”, deklaroi Mickoski, sipas njoftimit të shërbimit qeveritar për shtyp.

Kryeministri theksoi se, përtej funksionit të tij institucional, si prind dhe familjar ndjen detyrimin të shprehë solidaritet me familjen e vajzës së sulmuar.

“Si burrë, si prind, si baba, si vëlla dhe bashkëshort, dua të shpreh mbështetjen time për familjen e vajzës dhe të premtoj se do të bëjmë gjithçka si institucion dhe unë si kryeministër për ta nxjerrë para drejtësisë personin që kreu këtë sulm të tmerrshëm”, u shpreh ai.

Mickoski siguroi se Qeveria do të veprojë brenda kompetencave të saj për të mbështetur institucionet përgjegjëse dhe për të garantuar që rasti të trajtohet deri në zbardhjen e plotë dhe vënien para përgjegjësisë të personit të dyshuar.