Bojkovska: Inflacioni në Maqedoni ra në 3.3%, ndërsa në vitin 2022, nën qeverisjen e LSDM-së, arriti në 19.8%

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska, ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë së kaluar të udhëhequr nga LSDM-ja, duke krahasuar nivelin e inflacionit në vitin 2022 me atë të vitit 2026. Gjatë debatit për Projektbuxhetin e vitit 2027, ajo theksoi se inflacioni vjetor në Maqedoninë e Veriut në tetor 2026 ishte 3.3%, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2022 kishte arritur në 19.8%.

Duke folur në Komisionin për Financa dhe Buxhet, Bojkovska deklaroi se suksesi i një buxheti nuk matet vetëm me shifrat e planifikuara, por mbi të gjitha me rezultatet konkrete dhe ndikimin që ai ka në jetën e qytetarëve.

Sipas saj, për vitin 2027 parashikohet rritje reale ekonomike prej 3.8% dhe inflacion mesatar prej 3.2%.

Ajo iu referua edhe rezultateve ekonomike të gjysmës së parë të vitit 2026, duke theksuar se rritja ekonomike ishte 3.7%, ndërsa në tremujorin e dytë arriti në 4.3%.

“Si kujtesë, në tetor 2026, inflacioni vjetor në Maqedoni ishte 3.3%, krahasuar me 4% në eurozonë. Le të kujtojmë tetorin e vitit 2022, gjatë periudhës së qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja, kur inflacioni në Maqedoni arriti në 19.8%, pothuajse dyfishi i mesatares së atëhershme në eurozonë prej 10.6%”, deklaroi Bojkovska.

Ajo e cilësoi këtë dallim si rezultat të qasjeve të ndryshme ekonomike të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, duke pretenduar se politikat aktuale kanë ulur presionin mbi buxhetet familjare.

46.6 miliardë denarë për arsimin

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit të saj, deputetja Bojkovska ia kushtoi investimeve në arsim dhe përmirësimit të kushteve për nxënësit dhe studentët.

Sipas saj, në Projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë parashikuar 46.6 miliardë denarë.

Në këtë kuadër, janë planifikuar 255 milionë denarë për sallat sportive shkollore, me ç’rast parashihet ndërtimi i 30 sallave të reja sportive dhe rindërtimi i 30 të tjerave ekzistuese.

Gjithashtu, për rehabilitimin energjetik të konvikteve studentore janë parashikuar 431.5 milionë denarë, ndërsa programi i investimeve përfshin konvikte në Shkup, Manastir, Prilep, Shtip dhe Ohër.

Bojkovska theksoi se këto projekte do të realizohen edhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Bankës Gjermane për Zhvillim.

Më shumë bursa dhe mbështetje për studentët

Deputetja bëri të ditur se për standardin studentor janë planifikuar 1.9 miliardë denarë, apo 7.2% më shumë krahasuar me periudhën paraprake.

Sipas saj, modeli i ri i bursave parashikon gjithsej 3.000 bursa studentore, prej të cilave:

1.050 bursa strategjike, në vlerë prej 18.000 denarësh në muaj;

1.200 bursa për mbështetje sociale;

750 bursa për studentët me rezultate të larta akademike.

Për herë të parë, sipas Bojkovskës, parashikohen edhe kuota të veçanta për studentët me aftësi të kufizuara dhe ata që vuajnë nga sëmundje të rralla.

Ajo shtoi se për ushqimin e subvencionuar të studentëve janë planifikuar 696 milionë denarë, që përfaqëson një rritje prej 12.3%.

Në përfundim, Bojkovska theksoi se investimet në arsim, përmirësimi i standardit studentor dhe stabiliteti ekonomik janë ndër prioritetet që, sipas saj, synon të realizojë Qeveria përmes Buxhetit të vitit 2027.